/2L ONLINE/ – Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, në mungesë të provave ka liruar nga akuza të pandehurën Sh. B., ndërsa për të pandehurin A. A. është shpall Aktgjykim refuzues, pasi që është arritur koha e parashkrimit të veprës penale.
E akuzuara Sh. B. në cilësinë e personit zyrtar – kryeprokurore e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, dyshohet se në qershorin e vitit 2012 i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën që përbënë fshehtësi zyrtare, me qëllim të përfitim personal ose me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të informacionit jashtë Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që tabulatet e mesazheve të siguruara në lëndën PPN.5/2012 përmes masave të fshehta i’a ka dhënë G. B. e të cilat më pas i njëjti i përcjell personit të paautorizuar në rastin konkret të pandehurit A. A..
Por trupi gjykues nuk ka gjetur prova ndaj të pandehurës Sh. B. dhe për këtë e ka liruar nga veprat penale: zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 374 paragrafi 2 lidhur me 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shpërdorimi i pozitës ose autorizimit nga neni 339 paragrafi 1 të KPRK-së dhe cenimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të dhënave kompjuterike nga neni 168 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së.
Gjithashtu trupi gjykues ka shpall Aktgjykim refuzues për të pandehurin A. A., pasi që është arritur koha e parashkrimit të veprës penale cenimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe bazave të dhënave kompjuterike nga neni 168 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij Aktgjykimi në Gjykatën e Apelit. /2L ONLINE/