/2L ONLINE/ – Organizata Rinore PEN ( Rrjeti i edukimit të bashkëmoshatarëve), ka organizuar sot, një takim me kryetarët e këshillave të fshatrave të Komunës së Vitisë, me të cilët ka diskutuar modalitetet e një përfshirje sa më të madhe të gruas në vendimmarrje.
Shqipe Gjocaj, menaxhere e projektit “të veprojmë për barazi” që implementohet nga organizata PEN dhe që mbështetet nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, ka thënë se edhe pse organizata PEN, fokusin e saj e ka punën me rininë shkollore si dhe studentët, në kuadër të këtij projekti që zbatohet në shumë qendra të Kosovës, ka punuar në ngritjen e kapaciteteve edhe të grave të reja që ato të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe angazhimit në komunitetet.
“Nga Komuna e Vitisë kemi trajnuar rreth 30 gra të reja që kanë gatishmëri dhe potencial për tu kyçur më aktivisht në procesin e vendimmarrjes lokale, kontributit në komunitetet si dhe në angazhime tjera që janë në interes për qytetarët”, ka thënë Gjocaj.
Ajo ka theksuar se ky grup i grave të trajnuara ka gatishmërinë që të jetë pjesë aktive edhe e këshillave të fshatrave si një mekanizëm konsultativ në vendimmarrje lokale, por për këtë duhet gatishmëria edhe angazhimi i vetë kryetarëve të këshillave të fshatrave që atyre t`iu mundësohet ky angazhim. Kurse moderator i këtij takimi Tefik Salihu, ka thënë se në Komunën e Vitisë aktiv janë 37 këshilla të fshatrave, por fatkeqësisht numri i grave anëtare të këtyre këshillave është simbolik.
Ai ka theksuar se kohëve të fundit vërehet një interesim më i shtuar i femrave në takimet publike në fshatra, por për tu arritur kuota e përfaqësimit të femrave në këta mekanizma duhet një angazhim më i shtuar i gjithë mekanizmave relevant. Përfaqësuesit e fshatrave kanë thënë se për një angazhim më të madh të këtyre mekanizmave në drejtim të gjithëpërfshirjes së femrave, duhet siguruar edhe kushte duke përfshirë edhe kompensimin. /2L ONLINE/