Pas rreth 4 vite të përpjekjeve tona për ta realizuar të drejtën tonë legjitime për të pasur qasje në autostradën “Arbën Xhaferi” në pikën natyrale në fshatin Gërlicë, e drejtë e cila me shumë mund në qeverinë Haradinaj ishte premtuar se do të realizohet duke u marr zyrtarisht edhe një vendim me nr. 10/105 me datë 28.05.2019 për të filluar implementimin e projekteve për dy kyçje të reja, një për Ferizajn dhe tjetra për Vitinë.
Qeveria Kurti në mënyrë arbitrare dhe diskriminuese në mbledhjen e qeverisë të mbajtur sot me datë 06.03.2020 ka anuluar këtë vendim, duke lënë pa qasje në autostradë rreth 60,000 banorë të komunës së Vitisë dhe me mijëra biznese që operojnë në këtë komunë.
Qasja diskriminuese ndaj qytetarëve të Vitisë e nisur sot nga qeveria Kurti, nuk do të tolerohet, pasi kyçja në këtë autostradë është jetike dhe emergjente si për banorët, ashtu edhe për bizneset e kësaj komune. Mungesa e kësaj kyçje favorizon importin e mallrave dhe është diskriminuese për biznesin vendor, pasi qasja në këtë rrugë ndërkombëtare aktualisht është e vështirë dhe në distancë të largët dhe më e rëndësishmja ka kosto financiare për secilin qytetar dhe biznes të kësaj komune.
Shoqëria Civile dhe Shoqata e Bizneseve njofton opinionin publik se si pasojë e situatës së re të krijuar, shumë shpejt do të organizoj protesta paqësore duke bllokuar qarkullimin në autostradën “Arbën Xhaferi” deri në realizimin e kërkesës tonë legjitime për ta pasur qasje në pikën natyrale të fshatit Gërlicë.
Ftojmë të gjitha subjektet politike në Viti dhe të gjithë qytetarët e saj që të na bashkëngjiten në protestat masive që do të organizojmë në ditët në vijim për të drejtën tonë legjitime, kyçjen në fshatin Gërlicë.
Shoqëria Civile përfaqësuar nga Shyqeri Halabaku
Shoqata e Bizneseve vitiase përfaqësuar nga Enver Haziri