(2L ONLINE) – Shoqata humanitare “Bereqeti”-Dega në Gjilan, e cila aktivitetin e saj e bënë në kuadër te Bashkësisë Islame të Kosovës, sot ka filluar të shpërndajë 200 pako ushqimore për familjet me jetimë dhe ata me gjendje të rëndë sociale. Pakoja ushqimore përmbante gjërat më elementare, si: vaj, sheqer, makarona, oriz, kripë, fasule etj.
Agim Hyseni, sekretari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan ka thënë se këto ndihma ishin donacion nga “Shtëpia e Zekatit” nga Kuvajti, e cila ka ndihmuar me 150 pako, ndërsa 50 pako të tjera ishin nga Bashkësia Islame e Turqisë “Dianeti”. Kjo ndihmë sadopak ua lehtëson përgatitjen e iftarit në Ramazan, andaj ata që morën këtë ndihmë ishin falënderues.
“Vlen të theksohet se Shoqata Humanitare “Bereqeti” në bashkëpunim me “Shtëpinë e Zekatit” që nga paslufta ka një përkujdesje të vazhdueshme për 200 jetimë të komunës së Gjilanit, të cilët marrin si ndihmë nga 30 euro për çdo muaj. Përveç kësaj, në çdo fillim të vitit shkollor, ndihmohen me nga një çantë dhe material shkollor”, ka thënë Hyseni.
Përndryshe, në mars të këtij viti, për suksesin e treguar në mësime, katër jetimë: Erik Morina, Leart Kastrati, Gent Isaku dhe Jasin Abazi, janë shpërblyer me një udhëtim për në Kuvajt me koordinatorin Agim Hyseni.
“Andaj, ky aktivitet i sotëm është vetëm një nga aktivitetet e shumta që bën kjo shoqatë”, thotë Hyseni. /2L ONLINE/