Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” në Preshevë, në kuadër të “Karvanit të Shkrimtarëve të Luginës shënoi edhe manifestimin mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” 2016”. Ky Karvan filloi nga Gjimnazi “Skënderbeu” në Preshevë dhe do të vazhdojë edhe në shkolla të tjera të Luginës dhe më gjerë, theksoi para të pranishmëve kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, shkrimtari Bilall Maliqi.
Ai më tej shktoi se Manifestimi “Flaka e Janarit”është e një rëndësie të veçantë.
“Flaka e Janarit” shënohet në shumë qytete shqiptare, andaj edhe ne në mënyrë modeste po e shënojmë këtë Manifestim me rëndësi kombëtare duke i nderuar të gjithë të rënët për liri, të cilën liri tani ne gjeneratat tona e gëzojmë”, shprehet Maliqi.
Ai përmendi edhe bashkëpunimin e mëhershëm që kishte me Grupin letrar “Migjeni”, konkretisht me poeteshën e ndjerë Sadete Preshevën, e cila gjithherë i ka shënuar këto data të rëndësisë jetike për kombin tonë.
“Poetesha dhe profesoresha e ndjerë Sadete Presheva, na ka lënë si trashëgim shënimin e “Flakës së Janarit” dhe ne tani po mundohemi që t’i kujtojmë përmes këtij Manifestimi të gjithë të rënët për lirinë “ tha ai.
Kryetari Maliqi, poashtu foli edhe për rëndësinë e “Karvanit të Shkrimtarëve të Luginës.
“ Këto orë letrare që po mbahen dhe do të mbahen në vazhdim nga Karvani, kanë rëndësinë e vet, sepse përpos që janë edukative, ato edhe nxisin krijuesit e rinj të merren aktivisht me shkrime”, shprehet kryetari Bilall Maliqi për portalin Titulli.com.
Vlen të theksohet se në këtë orë letrare morën pjesë dhe lexuan poezitë e tyre, Bilall Maliqi, Demush Berisha, Selajdin Salijesor, Herolinda Slaihu, Ramize Halimi, dhe Fitore Haliti.
Pati recitime edhe nga nxënësit e shkollës, Arsim Hafizi, Esra Nuhiu dhe Qëndresa Ismaili.
“Karvani i Shkrimtarëve të Luginës”, në të ardhmen do të vizitojë edhe disa shkolla të tjera në Luginë dhe jashtë saj.