/Çmimet “At Gjergj Fishta – Poet i Kombit” një realitet vlerash/
Autori Odise Plaku në mbyllje të vitit 2020 është vlerësuar me diplomën “At Gjergj Fishta” për monodramën “Klithma e një nëne të marrë”, interpretuar për herë të parë nga aktorja Hajrie Rondo. Përmes kësaj interviste ai ndan emocionet e këtij çmimi, por bën dhe një rrugëtim në këtë konkurs me peshë të rrallë, që u mbajt në mbyllje të vitit të At Gjergj Fishtës, në 80-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
2LONLINE: Në mbyllje të vitit 2020 jeni nderuar me çmimin “At Gjergj Fishta – Poeti i Kombit” për monodramën “Klithma e një nëne të marrë”. Ishte një mbyllje e bukur e vitit?
– Ishte një surprizë e bukur, që erdhi pas një viti tepër të lodhshëm dhe stresues në jetën tonë. Shpesh motivimet kanë mbetur në mes të rrugës për shkak të pandemisë, që na ka goditur me lajme shumë të rënda, siç janë ato për humbjen e jetëve të njerëzve tanë të dashur, të miqve dhe kolegëve. Ndoshta jemi ndier të trishtuar për çdo lajm të dhimbshëm që merrnim sapo hapnim celularët dhe klikonin në rrjetet sociale.
Për mua ky çmim ishte si gëzimi që sjell zëri i një fëmije kur lind në një shtëpi që ka pllakosur zia. Ishte i dëshiruar, por dhe një ogur i mirë, që më bën të mendoj se pas çdo reje të zezë gjithmonë fshihet drita, se rrezet e diellit shpejt do t’i çajnë ato dhe do të na ngrohin me rrezet e tyre, ndaj duhet të mendojmë pozitivisht dhe të aspirojmë për të ardhmen tonë.
2LONLINE: Ky çmim mban emrin e Gjergj Fishtës. Besoj se ka lidhje dhe me vitin e kaluar, që u quajt si “Viti i At Gjergj Fishtës”.
– Sigurisht. Viti 2020 u shpall “Viti i At Gjergj Fishtës” dhe është shoqëruar me aktivitete dhe ceremoni përkujtimore. Një figurë kombëtare shumëdimesionale e meritonte dhe një aktivitet të tillë me parametra të lartë organizativë, përzgjedhës dhe vlerësues në zhanre të ndryshme të krijimtarisë letrare.
Pra, në vijimësi të mbylljes së këtij viti ishte dhe ky çmim në përkujtim të At Gjergj Fishtës në 80- vjetorin e largimit të tij nga jeta apo largimin në amëshim, po të përdorim gjuhën e poetëve. Dihet që Fishta ishte poet, publicist, dramaturg, prozator, studiues e botues, ndaj dhe çmimet u ndanë në fushat që ai ka lëvruar në jetë.
2LONLINE: Cilët ishin organizatorët e këtij çmimi?
Konkursin Diploma “At Gjergj Fishta – Poeti i Kombit” e organizoi shtëpia botuese austriake “Media Ferlag” në bashkëpunim me Fondacionin Shqipëri–Austri me presidente Mariana Graf, një zonjë që ka dhënë një kontribut të madh në plotësimin e nevojave të shkollave, por edhe në fusha të ndryshme të jetës komunitare; me drejtuesin e Bibliotekës Franceskane Shqiptare At Vitor Demaj dhe diasporën mbarëshqiptare.
Kjo shtëpi botuese drejtohet nga z. Gjergj Jozef Kola, shkrimtar. Me profesion arsimtar, që prej më shumë se 20 vjet jeton në Vjenë, ka organizuar edhe herë të tjera konkurse letrare.
Unë gjej rastin ta falënderoj publikisht për korrektesën e treguar, për komunikim aq intelektual dhe njerëzor gjatë dy ditëve të fundit të shpalljes së çmimeve.
2LONLINE: Bëhet fjalë për një juri ndërkombëtare, emrat e së cilës janë bërë të ditur në çastet e fundit të mbylljes së konkurrimit dhe shpalljes së vlerësimeve.
– Është një fakt i vërtetë që emrat e jurisë u mësuan në orët e fundit të shpalljes së çmimeve për të mos qenë nën trysninë e jashtme, siç ndodh jo rrallëherë në konkurrimet shqiptare, ku juria bëhet e ditur, por dhe kapet nga krahu kush e kush të jetë fitues i një çmimi. Nëse do të shikojmë gjeografinë e saj, bie në sy fakti që anëtarët e jurisë janë shqiptarë, emra potencialë në botën e artit dhe të kulturës, me banim në vende të ndryshme të botës, personalitete dhe me kontribute në fushën e letrave. Janë përzgjedhur me kujdes, duke pasur një alternim dhe të përkatësisë gjinore në mënyrë të barabartë. Ata janë:
Kryetare nderi – prof. Marianne Graf (Austri)
At Vitor Demaj – drejtor i Bibliotekës Françeskane Shqiptare (Shqipëri)
Vlora Ademi (Kosovë)
Ledri Kurti -Kraja (Shkodër)
Gabriela Mujaj (Tiranë)
Xhenc Bezhi (Salzburg)
Ferdinand Nikaj (Londër)
Gjergj Jozef Kola (Vjenë)
Të nominuarit kanë qenë krijues shqiptarë, por edhe të huaj të shpërndarë në mbarë botën e që shkruajnë në gjuhën e bukur shqipe.
2LONLINE: Ka pasur një numër të madh nominimesh për çmimet “At Gjergj Fishta”?
– Nga detajet e mësuara pas përfundimit të këtij konkurrimi është bërë e ditur se për këtë konkurs janë prezantuar rreth 400 vepra letrare dhe u noninuan rreth 40 prej tyre. Ajo çfarë më gëzon më shumë është fakti se nga 10 fituesit, të shtrirë në mbarë botën, 5 prej tyre, pra gjysma, jetojnë në Tiranë, gjë që tregon se Tirana mbetet zemra e kombit tonë dhe e kulturës sonë.
Fituesit që jetojnë në Tiranë janë: Primo Shllaku, Ledia Dushi, Elvi Sidheri, Marcel Hila dhe Odise Plaku.
Të bie në sy se autorët u vlerësuan për një vepër të caktuar dhe është po ashtu mjaft e rëndësishme që edhe fituesit ishin në raport të drejtë gjinor, femra dhe meshkuj.
2LONLINE: Cilat do të jenë përfitimet e fituesve të çmimeve të kësaj jurie?
– Një pyetje që meriton një përgjigje pozitive, pasi shpeshherë, kur mbarojnë konkurset, shuhet dhe jehona e tyre. Sipas organizatorit të këtij aktiviteti, z. Gjergj Jozef Kola, fituesit e çmimit prestigjioz të kornizuar në Vjenë do të kenë edhe shpërblime të ndryshme, si: përkthime në gjermanisht, botime të ndryshme të një vepre të pabotuar e deri te ftesa në Vjenë në studion – shtëpinë e shkrimtarit të njohur austriak Stefan Cvajg për një fundjavë, aktivitete të përbashkëta me fituesit në Vjenë etj.
2LONLINE: Ndalemi te çmimi “At Gjergj Fishta – Poet i Kombit” që ju keni fituar me monodramën “Klithma e një nëne të marrë”. Si e pritët?
– Unë jam i gëzuar jashtëzakonisht si Odise, sepse më është vlerësuar një monodramë që e kam aq shumë për zemër, të luajtur nga aktorja e famshme që mban titullin “Naim Frashëri”, të cilën uroj ta luaj edhe në Vjenë për diasporën shqiptare. Kanë kaluar shumë vjet që nga vënia në skenë për herë të parë më 2006-n dhe përsëri vlera e kësaj mbetet aktuale. Fenomeni i trafikimit të qenieve njerëzore është një plagë e përbotshme dhe ende dhemb, kullon gjak. Pak ditë më parë mediet shqiptare u tronditën nga vrasja e dy motrave, që nxori në pah dhe akuza të forta për trafikim të tyre, por akoma dhe më makabre, të lindjes dhe shitje së fëmijëve. Ky realitet nuk kërkon vetëm një dramë, një monodramë, një vënie në skenë, por një reagim të fuqishëm shoqëror, institucional.
Unë përfitoj nga kjo intervistë të shpreh falënderimet dhe për vëllezërit Shllaku, z. Primo, që është nderuar me diplomën “At Gjergj Fishta” në lëmin e dramës. Duke mbetur po në falënderime, meriton të veçantin e falënderimit i madhi Bruno Shllaku, që e çoi veprën “Amaneti” në trojet shqiptare në Dibër të Madhe, në Maqedoninë e Veriut, në Podujevë, në Mitrovicë, në Kosovë etj., duke ia rritur akoma më shumë vlerat kësaj vepre, por edhe duke përcjellë mesazhin e madh se amanetin nuk e tret as dheu, siç do të shkruante dhe i madhi At Gjergj Fishta:
Kurrë, Shqipni, s’kam me t’harrue,
Edhe në vorr me t’përmend kam.
2LONLINE: Keni një urim për vitin që sapo ka filluar?
– Së pari ju uroj ju dhe portalin tuaj për kujdesin në vijimësi ndaj punës dhe pasqyrimit të vlerave krijuese e kulturore mbarëkombëtare.
Urimin tim do ta përcjell përmes disa vargjeve, në thelb të të cilëve qëndron besimi për jetën, për të ardhmen.
Beso
Mos e ndal hapin kur je në mes të rrugës,
larg nga dëshpërimi, kurajë jepi vetes.
Pa këmbë po të jesh, fillo prapë e vrapo,
i verbër po të jesh, me ngjyra pikturo.
Kur zemra thotë “të lashë!”, mendo çastin e ri,
shpresa vdes e fundit në jetë tek ti NJERI.
Kur reja të mbulon, mendo ditën e bukur,
diellin kurrë nga sytë nuk kanë për ta fshehur.
Kur shpirti ulërin dhe qan në vetmi,
mos harro të gëzosh me të bukurën dashuri.
Kur fjala të ka ngrirë si i akullti stalaktit,
nevrikun flake tej e ndize prapë një dritë.
Në tëndin dëshpërim mos u dergj si viktimë,
mos harro se në këtë jetë ti je i vetes trim.
Dhe këmbë mos të kesh, dhe sytë të kenë shtegtuar,
e ke një rrugë të jetës çdo herë për të gëzuar.
E dora po t’u tha si një kërcu në dimër,
me dorë të shpirtit kapu ti prapë për të jetuar.
E yjet po s’u ndezën, ti shpirtin ndize flakë,
kur ka një frymë në botë, një jetë nuk fiket kurrë.