Me qëllim të informimit të nxënësve, prindërve për mundësitë që ofrohen në shkollimin e mesëm të lartë, si dhe mundësitë për tregun e punës dhe përgatitjen për studime pas përfundimit të këtij shkollimi, shkolla e mesme teknike “Mehmet Isai” në Gjilan, për tri ditë rresht ka hapur dyert për të gjithë nxënësit e klasave të nënta të komunës së Gjilanit, në kuadër të aktivitetit “ Dyert e hapura“. Të gjithë nxënësit vizitorë u njoftuan për së afërmi me lëmit/profilet e shkollës sonë për vitin shkollor 2022/23.
Nxënësit e shkollave fillore “Rexhep Elmazi”, “Thimi Mitko” e “Zija Shemsiu”, janë pritur nga ekipet e formuara nga drejtoria e shkollës. Atyre u mundësua që edhe praktikisht të shohin klasat, kabinetet, laboratorët, sallën e kulturës fizike, punëtoritë ekzistuese në shkollën tonë.
Gjithashtu, ata dëgjuan edhe prezantimet e përgatitura nga mësimdhënësit e shkollës teknike dhe për së afërmi panë punimet e nxënësve të ekspozuara në korridorin e shkollës.
Nxënësve vizitorë të këtyre shkollave nga ekipet e formuara nga shkolla, iu thanë se roli i arsimit profesional është vendimtar në ndërtimin e një shoqërie me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e kulturor. Mbi të gjitha tregu i punës kërkon çdo ditë e më shumë, persona të aftë në profesione të ndryshme. Shkolla teknike në Gjilan, është një ndër shkollat profesionale që ofron mundësi të shumta zgjedhjesh për nxënësit.
Ndryshe, ekipet e formuara me mësimdhënës nga shkolla, do ti vizitojnë klasat e nënta për ti informuar më gjerësisht për drejtimet dhe perspektiven që ofron shkolla jonë. (ab). /2LONLINE/