Shkolla e Mesme e Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan me aktivitete kulturore – artistike ka shënuar festën kombëtare – Ditën e Flamurit.
Dita e Flamurit – 28 Nëntori është shënuar me program artistik, si dhe me ekspozitën me krijime të shumta artistike të nxënësve.
Pas pjesëve korale të Korit të Shkollës së Muzikës, të drejtuar nga profesori Artan Jerliu, para të pranishmëve, drejtori i ShMAP “Adem Kastati”, Roland Masurica, ka thënë se 28 Nëntori është festa që shpërfaqë më së miri identitetin tonë kombëtar kudo në botë.
“Po ta shikojmë kronologjinë historike, ngjarjet më të rëndësishme që mund t’i veçojmë janë: Rezistenca e Skënderbeut, shpallja pavarësisë dhe e fundit ditëlindja e heroit tonë, Adem Jashari”, ka theksuar ai, duke shtuar: “Edhe kësaj here, nxënësit tanë janë ata të cilët këtë ngjarje e kane ilustruar më së miri me kreativitetin e tyre artistik, përmes pikturës, skulpturës, veshjes e fotografisë”.
Ndërkaq, profesoresha Kaltrina Berisha, kryetare e Aktivit profesional të artit, ka përgëzuar nxënësit për punën që e kanë bërë.
“Kjo punë e mrekullueshme e tyre është meritë edhe e angazhimit të mësimdhënësve, me ç’rast, në emër të Aktivit profesional të artit, iu falënderoj që sot ofruat një ekspozitë shumë të pasur”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Rinesa Bajrami, kryetare e Këshillit të Rinisë së shkollës, ka nënvizuar se ajo dhe gjenerata e saj janë me fat, dhe se nderimi më i madh që iu bëhet këtyre datave historike dhe sakrificës së madhe, është angazhimi i vazhdueshëm në mësime: Sot si nxënës, e nesër si studentë.
Pas pjesës artistike të programit, drejtoria e shkollës dhe Aktivi profesional i artit, kanë ndarë mirënjohje për disa nga nxënësit e dalluar të shkollës artistike. /2LONLINE/