Nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Dëshmorët e Vitisë” në Viti, Erza Haziri dhe Dior Neziri, janë fitues të vendit të parë në garën e organizuar “Shkollat e Shekullit 21”, që u mbajt në kuadër të projektit British Council, e i cili është një projekt ambicioz i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në fushën e arsimit.
Kjo garë kishte për qëllim rritjen e perspektivës në punësim duke i pajisur nxënësit me shkathtësi koduese dhe duke përdorur pajisjen ‘microbit’, që shërben në përmirësimin e praktikave në klasë, si dhe duke i trajnuar mësimdhënësit e të gjitha shkollave fillore në mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve.
Ky projekt në Kosovë implementohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit. Shkolla e mesme e ulët “Dëshmorët e Vitisë” në Viti, arriti të jetë e para, krahas shkollave tjera në nivel vendi.
Pas këtyre rezultateve, kjo shkollë është kualifikuar për në garat rajonale që do të mbahen në Tiranë.
Drejtori i Arsimit në Viti Basri Aliu, ka përgëzuar mësimdhënësin Burim Jasharin, për përkushtimin dhe punën e palodhshme bashkë me nxënësit që prezantuan projektet Erza Haziri dhe Dior Neziri.