Nënkryetarja e AAK-së, Magbule Shkodra, njëherësh zëvendësministre në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ka ftuar mësimdhënësit ta ndërpresin grevën dhe ta pranojnë ofertën e kryeministrit Haradinaj, që sipas saj, është në suaza të mundësive që i posedon shteti i Kosovës.
Ajo është shprehur se nga shumë biseda me mësimdhënës, iu është bërë e qartë se, një numër i konsiderueshëm i tyre janë të gatshëm t’i kthehen procesit mësimor.
“Është mirë që SBASHK-u të mos iu bëjë presion mësimdhënësve dhe ta pranojnë ofertën e kryeministrit Haradinaj, e cila është në suaza të mundësive që i posedon shteti ynë. Po ashtu, pres që prindërit të aktivizohen në mënyrë të organizuar dhe të kërkojnë përgjegjësi nga SBASHK-u”, ka thënë Shkodra.
Ajo u shpreh edhe se, janë fëmijët, ardhmëria e vendit, që po e pësojnë më së shumti këtë katrahurë të panevojshme.