/2L ONLINE/ – Aktori gjilanas Avni Shkodra, edhe njëherë ka shprehur revoltën e tij me gjendjen aktuale në të cilën ndodhet Teatri i Qytetit të Gjilanit. Madje ai me sarkazëm ka pyetur se a do të këtë dhuratë për teatrin këtë vit të ri?!
“Meqë është viti i fundit i kësaj qeverisjeje lokale, kjo qeverisje e ka edhe mundësinë e fundit në vitin që vjen që, ose ta bëj teatrin funksional, ose të mbetet si qeverisje që do të turpërohet nga qytetarët artdashës dhe artistët e teatrit”, ka thënë Shkodra.
Më pas ai ka numëruar të gjitha të pabërat në, dhe për teatrin duke rikujtuar se Komuna e Gjilanit gjatë këtij mandati teatror 3 vjeçar, nuk arriti ta votojë statutin e teatrit në asamble komunale, për ta harmonizuar me ligjin e ri për teatrot. Nuk arriti ta krijojë ndonjë linjë buxhetore, që garanton buxhet të rregullt për këtë institucion.
“Po ashtu dështoi ta zgjedh drejtorin gjeneral, herën e parë në konkurs, e gjithashtu edhe tash në herën e dytë ende nuk ka ndonjë informatë zyrtare se çka është duke ndodhur. Tregues ky që edhe këshilli drejtues i teatrit është jo funksional. Nuk arriti të gjejë ndonjë formë, për t’i sistemuar aktorët e ansamblit në paga të rregullta, ashtu siç kishin premtuar, përkundër zvogëlimit të numrit të ansamblit rezidentë të aktorëve”, ka thënë Shkodra, për të shtuar edhe se me renovimin e teatrit, është dëmtuar akustika dhe Wc-të.
Sipas tij, është premtuar nga kryetari Haziri se edhe pozitat e tjera do të kthehen në teatër, si: Udhëheqësi artistik, etj. Po ashtu Njësia për kulturë, që kryesisht është marrë me problematikën e Teatrit ka dështuar.
“Këtë e ka pranuar edhe vet kryetari i komunës duke kërkuar përsëri që të kthehet drejtoria e kulturës, e cila u zëvendësua me njësinë për kulturë, që funksionon në kuadër të zyrës së kryetarit”, ka thënë tutje aktori Shkodra, për të shtuar se Komuna duhet ta ndërroj qasjen ndaj menaxhimit të teatrit, në mënyrë që teatri të funksionoj normalisht. Qoftë nga kjo qeverisje lokale e qoftë nga ndonjë tjetër që do të vije pastaj.
“Përkundër gjithë këtyre sfidave, ne vazhdojmë të kemi zakonisht shumë publikë dhe të krijojmë produkte cilësore, si: „Mbledhje në Parlement“, „Ufot“, „Lulja dhe Shega“, „Jetë me qira“, „Vdekja aksidentale e një anarkisti“ dhe „Im atë donte Adolfin“… Meqë është viti i fundit i kësaj qeverisjeje lokale, kjo qeverisje e ka edhe mundësinë e fundit në vitin që vjen që, ose ta bëj teatrin funksional, ose të mbetet si qeverisje që do të turpërohet nga qytetarët artdashës dhe artistët e teatrit”, ka thënë Avni Shkodra, aktor gjilanas. /2L ONLINE/