Sot, më datën 20 shtator 2023, Policia e Republikës së Kosovës, në kuadër të fushëveprimtarisë së saj në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë në përgjithësi, duke u bazuar në strategji shtetërore dhe rajonale (udhërrëfyesi rajonal për kontroll të AVL-ve,) që kanë të bëjnë me kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe eksplozivëve, ka organizuar aktivitetin e shkatërrimit të rreth 1500 armëve të ndryshme.
Shkatërrimi i këtyre armëve të llojeve të ndryshme të cilat janë konfiskuar në raste të ndryshme penale është bërë me vendim të gjykatës dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave të parapara ligjore.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë zëvendësministri i punëve të Brendshme z. Blerim Gashani , zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës z. Dejan Jankovic, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë z. Queiros si dhe zyrtarë nga UNDP-ja dhe eprorë nga Policia e Kosovës.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme z. Blerim Gashani gjatë ceremonisë tha “Sot, është një ditë e veçantë, kur Kosova sërish rithekson përkushtimin e fuqishëm që të zbatojë standardet më të larta ndërkombëtare për kontrollin e armëve, përkatësisht luftimin e posedimit të paligjshëm të armëve dhe municionit dhe në të njëjtën kohë, Kosova demonstron përkushtimin e fuqishëm që të luftojë të gjitha llojet e paligjshme të trafikimit me armë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës z. Dejan Jankovic theksoi: “Ne nuk jemi këtu thjesht për të shkatërruar armë, jemi këtu për të dërguar një mesazh tek të gjithë qytetarët, brenda dhe jashtë kufijve tanë, se jemi të vendosur për zbatim dhe sundim e ligjit si dhe ruajtjen e sigurisë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”.
Konfiskimi dhe shkatërrimi i këtyre armëve janë rezultati i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të palëve dhe institucioneve të ndryshme të zbatimit të ligjit, partnerëve ndërkombëtarë dhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi, andaj Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen për qytetarët për bashkëpunim si dhe falënderon partnerët tanë ndërkombëtarë UNDP-në dhe BE për përkrahjen e vazhdueshme, në veçanti në zbatimin e udhërrëfyesit rajonal për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe eksplozivëve. /2LONLINE/