U.d. ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administrarës Publike, z. Xhelal Sveçla sot ka nënshkruar vendimin për shkarkimin nga detyra të Kryeshefes së Inspektoratit Policor të Kosovës, znj. Miradije Kelmendi.
Ky vendim i z. Sveçla erdhi pas analizës së gjetjeve nga dy raporte: Raporti me rekomandime për Mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për IPK-në, hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës i cili ndër të tjera rekomandon edhe shkarkimin e znj. Kelmendi, si dhe Raporti i Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të vitit 2018.
Po ashtu është marrë parasysh edhe letra me rekomandime nga Avokati i Popullit Nr. 683/2019 lidhur me çështjen “Agron Hasanaj kundër Inspektoratit Policor të Kosovës”, në të cilën konstatohen shkelje të ndryshme në menaxhimin e IPK-së.
Këto masa janë në vazhdën e adresimit të shkeljeve të konstatuara në Inspektoratin Policor të Kosovës, bazuar në gjetjet e raporteve të sipër përmendura.