Personat që kanë shkaktuar fatkeqësinë e rëndë, javën e kaluar në Gjenevë, në të cilën gjeti vdekjen një këmbësor, shqiptar nga Kosova, do të gjykohen për veprën penale vrasje e rëndë. Kështu ka deklaruar prokuroria e përgjithshme e Gjeneves në një komunikim me media, të mbajtur mbrëmjen e të hënës.
Sipas prokurorisë, në lidhje me këtë rast po mbahen në burgun e hetimeve katër persona.
Natën e të mërkurës të javës që kaloi, si pasojë e një ngasjeje të çmendur të makinave të dy personave që bënin gara mes vete, ka humbur jetën një person, një tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe dy të tjerë janë lënduar më lehtë.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën shumë të frekuentuar, Rue de Lyon, në qendrën e qytetit. Dy makina kanë kaluar me një shpejtësi marramendëse. Samir Dulaku, nga Opterusha e Rahovecit, rreth të tridhjetave, baba i tre fëmijëve bashkë me një vendës të tij 25 vjeçar në momentin kritik po provonte të zinte autobusin që ishte ndalur në anën tjetër të rrugës. Kur ai kishte dashur të dilte matanë, dy vetura kishin kaluar me shpejtësi të jashtëzakonshme duke ua prerë rrugën dy shqiptarëve. Për Dulakun goditja që mori ishte vdekjeprurëse, transmeton albinfo.ch..
Ndërsa përveç shokut të tij (emrin e të cilit policia nuk e jep) lëndime kanë pësuar edhe dy persona të tjerë, që ndodheshin në një makinë tjetër.
Edhe shkaktari i aksidentit, shoferi 23 vjeçar me makinën me targa të Gjermanisë, ashtu si dhe shoku me të cilin gjendej në makinë, kanë pësuar lëndime. Shoferi i makinës tjetër që po bëte garë, një i ri 19 vjeç kishte provuar të ikte nga vendi i ngjarjes. Por të nesërmen është kapur edhe ai nga policia.
Prokuroria nuk ka ofruar të dhëna për shpejtësinë me të cilën ishin duke vozitur shkaktarët e aksidentit të rëndë.