Shkolla Fillore “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë të Gjilanit, më 2 Qershor, ka shënuar Ditën e Shkollës, ku, për të pranishmit e shumtë, ishte përgatitur një program kulturo-argëtues me këngë të ndryshme, vallëzime moderne dhe popullore, pjesë humoristike, prezantime sportistësh, recitime, ekspozitë arti etj, porse e veçanta e kësaj kremte ishte edhe Ora Letrare, e cila ishte më ndryshe sesa zakonisht që organizohen nëpër shkolla, pasi të ftuar në këtë orë letrare ishin përfaqësues të Asociacionit Alternativ të Shkrimtarëve të Kosovës, me seli në Gjilan, Ars Clubi “Beqir Musliu”.
Para nxënësve, udhëheqësisë së shkollës, mësimdhënësve dhe mysafirëve të tjerë, krijuesit letrar në poezi, prozë, eseistikë e publicistikë, Sabit Rrustemi, Mehmetali Rexhepi, Alisa Bekteshi, e Muhamet Halili, por edhe Kaltrinë Berisha ( mësimdhënëse e kësaj shkolle, moderoi këtë aktivitet letrar), u prezantuan me krijimet e tyre, për t’i lënë radhën edhe nxënësve të kësaj shkolle që poashtu shpalosën talentin e tyre me prezantime e deklamime të krijimeve letrare të realizuara nga vet ata.
Po ashtu përfaqësues të Ars Club-it, prezent në këtë orë letrare kanë ndarë njëherësh edhe përvoja e tyre letrare me nxënësit e interesuar, të cilët parashtruan pyetje të shumta e të ndryshme për artin e të shkruarit, e të cilëve, anëtarët e Ars Club-it, iu përgjigjen me kënaqësinë më të madhe.
Për më tepër, drejtuesi i Ars Club “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi, prezantoi pasqyrën e aktiviteteve vjetore që e karakterizojnë skenën letrare gjilanase, e që ndërlidhen me kalendarin e llojllojshmërisë organizative letrare nga Ars Club “Beqir Musliu”, ndërsa për bibliotekën e shkollës, për punëtorët e këtij institucioni, por edhe për nxënësit pjesëmarrës në këtë orë Letrare, u dhuruan libra, botime këto të botuara përmes shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, Gjilan.
Nikoqiri i kësaj ngjarjeje, drejtori i kësaj vatre të diturisë, Fatmir Latifaj, i falënderoi shkrimtarët pjesëmarrës në këtë orë letrare, që begatuan këtë aktivitet me praninë e tyre dhe u shpreh shumë mirënjohës edhe për librat e dhuruar si për nxënës, si për punëtorët arsimor të këtij institucioni, e në veçanti për librat e dhuruar për bibliotekën e kësaj shkolle, me çka pasurohet edhe më tej fondi i librave, i gatshëm për t’u shfletuar nga të gjithë nxënësit dhe të interesuarit e tjerë.
Ndërsa, në pjesën tjetër të programit, para të pranishmëve të shumtë, drejtori Latifaj ka prezantuar një biografi të shkurtë të Mulla Idriz Gjilanit, emrin e të cilit e mbanë kjo shkollë, për t’i lënë vendin më pas të gjithë atyre që performuan me programin e përgatitur enkas për këtë ditë.
Përndryshe, nuk mungoi as vlerësimi me mirënjohje i punës së mësimdhënës të dalluar me ç’rast disa nga punonjësit e kësaj vatre u nderuan për kontribut të çmuar ndër vite në edukimin e brezave të tërë nxënësish të kësaj shkolle, e në fund nga nxënësit artistë të shkollës u prezantuan punime në pikturë e vizatim, në një ekspozitë të hapur enkas për Ditën e Shkollës. /2LONLINE/