(2L ONLINE) – Gjilani dhe rrethina e tij janë territor verilindor i viseve shqiptare, të provuar si pjesë e pandashme dhe rrugëkalim i përpjekjeve e lëvizjeve për të drejta, pavarësi dhe bashkim kombëtar, që në çdo kohë kanë qëndruar në ballë të detyrës kombëtare, duke i dhënë atdheut bijë e bija që ranë në altarin e lirisë.
Përpjekjet për çlirimin nga pushtues të ndryshëm kanë qenë të vazhdueshme si në këtë rajon po ashtu edhe në gjitha viset shqiptare. Shembullin më të mirë të çlirimit të Gjilanit e gjejmë në faqe të historisë. Kështu, vetëm në periudhën e Rilindjes Kombëtare, qyteti i Gjilanit u çlirua tri herë nga shqiptarët:
1. Së pari në kohën e Kryengritjes së Dervish Carës (1843-1844), e cila kishte shpërthyer si rezultat i mospajtimit të shqiptarëve me reformat e Tanzimatit që kishte shpallur Perandoria Osmane. Programi i kësaj kryengritje ngërthente autonominë e viseve shqiptare.
2. Së dyti në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (21 janar 1881), kur ndjenja kombëtare e shqiptarëve mori hov dhe u shpreh me mospajtimin e tyre për copëtimin e viseve shqiptare që sanksionoheshin nga Traktatet e Shën Stefanit dhe të Berlinit.
3. Së treti në kohën e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare Kundërosmane (28 korrik 1912), kur Idriz Seferi dhe bashkëluftëtarët e tij e çliruan Gjilanin nga pushteti dhe administrata osmane-xhonturke.
Në vitin 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër me vendimet e saj dëmtoi rëndë shqiptarët dhe tokat e tyre. Kosova dhe vise të tjera shqiptare iu ndanë Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Mirëpo, ideali i lirisë, çlirimit dhe bashkimit kombëtar vazhdoi të mbetet aspiratë e forcave progresiste shqiptare me perspektivë kombëtare.
Synimet për çlirimin e Gjilanit dhe vise të tjera të Kosovës nuk munguan edhe gjatë zhvillimit të luftërave botërore.
Një përpjekje për çlirimin e Gjilanit nga forcat ushtarake antifashiste të UNÇJ-së, pas hyrjes së tyre në Gjilan më 16 nëntor 1944, e bëri edhe mulla Idriz Gjilani me bashkëluftëtarët e tij më 23 dhjetor të po atij viti, mirëpo një gjë e tillë nuk u arrit për shkaqe që tashmë ka paraqitur historiografia.
Programet e kolonizimit, terrorit, shpërnguljes masive, dëbimit, asimilimit, vrasjeve dhe gjenocidit serbo-jugosllav në Kosovë, përfshirë edhe rrethinën e Gjilanit, nuk mundën të shfarosnin prezencën etnike autoktone shqiptare. Aneksimi i dhunshëm i Kosovës nga ana e Serbisë më 1945 ngjalli lëvizje refraktare në Kosovë. Gjilani dhe viset përreth u shndërruan në çerdhe të Lëvizjes Klandestine
Kombëtare, e cila aktivizoi reaksion të ashpër tek pushteti ushtarak dhe policor serbo-jugosllav. Proceset gjyqësore ndaj anëtarëve të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në vitet 1947, 1950, 1956, procesi gjyqësor ndaj anëtarëve të Komitetit Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë më 1964, pjesëmarrja e gjilanasve në demonstratat e viteve 1968 e 1981 dhe dënimet e tyre, janë prova konkrete për një lëvizje organike kombëtare në këto vise, e cila nuk pajtohej me regjimin serbo-jugosllav.
Politika shoviniste e Serbisë ndaj shqiptarëve vetëm sa vinte e merrte formë. Vitet 1989 e këndej për Gjilanin shënon edhe një periudhë mjaftë të vështirë. Dhuna dhe presioni i vazhdueshëm, largimi masiv nga puna i shqiptarëve vetëm sa e bënte këtë gjendje më të vështirë dhe nxitën popullin për t`u organizuar në luftën çlirimtare dhe inteligjencën në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Gjilani me viset përreth dha një kontribut të çmuar në luftën për çlirimin e Kosovës. Në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona Operative e Karadakut, e cila përfshinte Gjilanin, Kamenicën, Vitinë dhe Novobërdën provoi luftë çlirimtare, e cila e sfidoi ushtrinë dhe policinë serbo-jugosllave. Kjo zonë, në hierarkinë e saj pati këtë strukturë organizative:
• Komandant– Ahmet Isufi (Rexha)
• Zëvendëskomandant – Shemsi Syla (Shaqa)
• Shef i Shtabit – Daut Ilazi (Shpati)
• Shefi i Sektorit të Personelit dhe Kuadrit – Emin Krasniqi (Baci)
• Shefi i Sektorit të Zbulimit dhe Kundërzbulimit – Abdyl Bajrami (Rremi)
• Shefi i Sektorit Operativ –Muharrem Ibrahimi (Bajrami)
• Shefi i Sektorit për Financa dhe Menaxhim të Resurseve – Selami Neziri (Agroni)
• Shef i Sektorit për Logjistikë – Basri Musmurati (Kravata)
• Shef i Sektorit për Moral dhe Politikë – Lulzim Leci (Enveri)
• Shefi i Sektorit për Informim – Hanumshahe Abdullahu (Nushi)
• Shef i Sektorit për Ndërlidhje – Elisah Ymeri (Ylli)
• Sektori i Mbrojtjes Civile (Shemsi Syla, Emin Krasniqi)
• Komandant i Policisë Ushtarake – Fatmir Mehmeti (Gjilani)
• Komandant i Qendrës Stervitore të ZOK-ut. Isa Agushi (Dardani)
Kjo zonë në përbërjen e saj kishte tri brigata, të cilat ishin: brigada 171 ”Kadri Zeka”, brigada 172 “Isa Kastrati” dhe brigada 173 ”Gursel e Bajram Sylejmani”. Suksesi i kësaj zone në përgjithësi nuk ishte i vogël, ngaqë në të u zhvilluan disa beteja të përgjakshme. ZOK-u nga gjiri i saj dha më shume se 82 dëshmorë si dhe shumë sukseset tjera. Vlen të përmendet se brenda kësaj zone u zhvilluan edhe shumë aksione të suksesshme luftarake. Beteja e Zhegovcit (15-16 prillit 1999) dhe ajo e Marevcit (18-12 prillit 1999) treguan vendosmërinë dhe gatishmërinë e kësaj zone për çlirim, aktiviteti i së cilës shtrihej edhe përtej kufijve të saj.
Gjilani me rrethinë luftën e fundit e përjetoj mjaftë rëndë. Nga data 24 mars deri më 20 qershor 1999 u vranë më shumë se 116 persona pa dallim moshe e gjinie, në veçanti kishin pësuar banorët e malësive të Marecit e Zhegovcit si dhe ata të fshatrave Llashticë, Lladovë, Malishevë, Llovcë etj.
Ekonomia shoqërore dhe familjare ishte shkatërruar mjaft shumë, për pasojë shumë familje mbetën pa shtëpi (1402 shtëpi të djegura), shumë shtëpi ishin plaçkitur e shkatërruar, bujqësia e në veçanti blegtoria nga plaçkitjet e mëdha ishte e shkatërruar pothuajse
Sot 15 vite më parë, më 15 Qershor 1999, Gjilani sikur e gjithë Kosova u çlirua nga dhuna dhe gjenocidi serbo-jugosllav. Në këtë ditë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht ata të Zonës Operative të Karadakut hynë në Gjilan, aty ku u pritën me entuziazëm nga banorë të qytetit dhe viseve përreth. Në këtë kohë në Gjilan hynë edhe ushtarët francezë të KFOR-it, të cilët po përmbushnin detyrën e tyre, për t‘i lënë më pas vendin ushtarëve amerikanë. Në Gjilanin tashmë të çliruar, po vazhdonin të largoheshin forcat serbo-jugosllave, që duke ikur bënin vrasje dhe shkatërronin shtëpi.
Sot pesëmbëdhjetë vite më vonë Gjilani thuajse është mëkëmbur, ekonomia dhe degët e saj po gëzojë një zhvillim të mirë me shpresën e përparimit të mëtejshëm.
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, në kuadër të aktiviteteve dhe obligimeve të saj profesionale e kombëtare, është e përkushtuar në ndriçimin e të kaluarës së kësaj pjese të viseve shqiptare, e cila konsiderohet e gërshetuar në etapa të historisë se popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. /2L ONLINE/
Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri: dega në Gjilan