(2L ONLINE) – Shfaqja e Teatrit të Gjilanit “UFO-të”, që është përgatitur nga regjisori Erson Zymberi me tekst të autorit Bashkim Hoxha, ka dalë të jetë shfaqja triumfuese në Festivalin mbarëkombëtar të dramës shqipe “Talia e Flakës” që është mbajtur për pesë mbrëmje në Teatrin e Gjilanit, në kuadër të Flakës së Janarit 2015, ku publiku gjilanas është dëshmuar se ka një interes të jashtëzakonshëm, duke i dhënë një sharm dhe një dinamikë shfaqjeve në përgjithësi.
E pranishme në ndarjen e çmimeve ishte edhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, me bashkëpunëtorët e saj, e cila edhe ka ndarë çmimin e vendit të parë për shfaqjen e Teatrit të Gjilanit.
Shfaqja “Ufo-t”, me tekst të Bashkim Hoxhës e me regji të regjisorit, Erson Zymberi, pos që është vlerësuar si shfaqja më e mirë e këtij festivali, nga kjo shfaqje është shpërblyer edhe aktorja Mejreme Berisha, me çmimin aktorja më e mirë e festivalit, kurse me çmimin aktori më i mirë i festivalit është shpërblyer aktori, Muhamet Arifi për rolin e tij në shfaqjen”Trangullat”.
Ndërsa, çmimi për regjinë më të mirë është ndarë për Iliriana Arifin me shfaqjen “Dashnori i nënës sime” nga ku në rolet dytësore janë shpërblyer aktorët Adem Mikullovci dhe Leze Qena.
Regjisori i shfaqjes më të mirë në “Talia e Flakës” Erson Zymberi ka thënë se është i gëzuar që puna e tij është dhe e aktorëve të kësaj shfaqjeje janë vlerësuar lartë nga juria profesioniste, pasi që sipas tij kjo shfaqje është prezantuar si një vlerë artistike për publikun.
“Puna është elementi i parë të cilin të gjithë bashkërisht ia kemi vendosur si prioritet vetvetes gjatë përgatitjes së kësaj shfaqjeje. Konsideroj se ne duhet të bëjmë punën e mirë dhe vlerësimi asnjëherë nuk mungon. Punën që e kemi bërë neve na është shpërblyer”, ka thënë ai duke shtuar se kjo shfaqje do të vazhdoj me një ose dy repriza që do të jenë fillimisht në Gjilan, duke vazhduar edhe në Shqipëri, pasi kemi ftesë nga vet autori Bashkim Hoxha dhe duke vazhduar edhe në teatrot e qyteteve të tjera në Kosovë dhe më gjerë.
E aktori më i mirë nga shfaqja “Trangullat” Muhamet Arifi tha se nuk e ka pritur këtë çmim pasi që ka pas shumë aktorë të mirë.
“Përgatitja e shfaqjes ka qenë në një periudhë intensive dy mujore dhe ka qenë një punë e jashtëzakonshme e regjisorit, Agim Selimi. Çdo vend që kemi bërë shfaqjen publiku e ka dashur këtë shfaqje pasi që është një temë shqiptare, por deri tash më së miri publiku i Gjilanit e ka kapur këtë shfaqje”, tha ai.
Shfaqjet që janë prezantuar në këtë festival, për pesë netë, ku në mbrëmjen përmbyllëse është dhënë shfaqja “Vërtitu kokë e prerë” e Teatrit Eksperimental të Tiranës, janë vlerësuar nga juria profesionale në përbërje të: dramaturges, Olsa Boshka, aktori Mentor Zymberaj dhe aktores Aurita Agushi.
Ndërsa, për këto pesë netë me radhë sa janë mbajtur shfaqjet në cilësinë e kritikës profesionale ishin Nebih Islami, dramaturg, Josif Papagjoni, aktor dhe Arian Krasniqi, dramaturg.
Krejt për fund udhëheqësi i Njësisë për Kulturë në Komunë të Gjilanit, Bujar Haziri premtoi se këtij festivali çdo vit e më shumë do t’i rritet vlera, dhe theksoi se shpreson që të ketë më shumë tekste të dramave shqipe./2L ONLINE/