Natën e tretë të festivalit të Dramës Shqipe ‘Talia e Flakës’, e cila mbahet në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit 2022”, artdashësit gjilanas kanë pasur mundësi të përcjellin shfaqjen “Hollyshit”, me regji të Ilir Bokshit, jashtë konkurrencës zyrtare.
Shfaqja erdhi si zëvendësim i asaj “Pesë ditë Mbret” të Teatrit të Korçës, që nuk arriti të udhëtojë në Gjilan shkaku i masave të reja anti-Covid, ndonëse ishte e planifikuar në programin e festivalit për sonte.
Komedia “Hollyshit” u pritë mjaft mirë nga artdashësit gjilanas, prezentë në numër të konsiderueshëm, ndërsa loja e aktorëve Ylber Bardhi e Adrian Morina, të cilët transformoheshin duke interpretuar personazhe të ndryshme, sipas konceptit regjisorial të dramatizuar nga fabula e autorit, ishte mjaft joshëse për publikun e kultivuar e këtushëm.
“Hollyshit” nxjerrë në pah e ironizon një situatë e cila në realitetin e përditshëm kalon pa u theksuar. Shfaqja është̈ e zhvendosur në një pjesë të Irlandës, ndërsa flet për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian, që duan të xhirojnë një film. Statistët hollivudian duke qenë shfrytëzues, në anën tjetër dalin edhe si përçmues të kolegëve të tyre, ‘statistëve’ irlandez.
Festivali i Dramës “Talia e Flakës 2022” vijon kalendarin e prezantimeve të mërkurën me shfaqjen ”Marksistët e Leninistët e Zvicrës” të autorit Jeton Neziraj, me regji të Blerta Neziraj, prodhim i teatrit “Adriana” nga Ferizaj, për të vijuar më tej me atë të Shkëlzen Berisha, sipas romanit të Anton Pashkut “Gof” prodhim i teatrit “Metropol” nga Tirana.
Në natën e fundit të Festivalit të Dramës “Talia e Flakës” mysafirë do të jetë shfaqja “Stifler” nga Doruntina Basha, prodhim i Organizatës “Integra”, me ç’rast edhe do të bëhet ndarja e çmimeve të festivali /2LONLINE/