Jeton Sherifi, përfaqësues i fshatit Cërnicë të Gjilanit ka thënë se e ka prekur thellë lajmi tragjik i shuarjes së pesë jetëve të anëtarëve të familjes Bllaca, e kjo padyshim që i ka prekur thellë edhe bashkëfshatarët e Cërnicës që me dhembje e morën këtë lajm të hidhur.
“Lajm tragjik për mbarë popullin e Kosovës, tragjedia e familjes Bllaca, e sidomos për ne bashkëfshatarët nga Cernica ishte tronditës, të cilin e morëm me dhembje sa s’ka më. Institucionet tona duhet t’i ndërmarrim masat për identifikimin e aspekteve shëndetësore sidomos të pjesëtarëve të Policisë e që 24 orë duhet të jenë në shërbim të sigurisë së qytetarëve. Është absurde kur dihet që ka pasur raste të suspendimit të policëve në rastin Vulin e shumë raste tjera… Është momenti i fundit kur duhet me seriozitet të merren masa në mënyrë që të parandalohen këto tragjedi. Ngushëllime”, ka thënë Sherifi, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Përndryshe, Gjilani u trondit sot nga vrasja e pesë anëtarëve të familjes Bllaca. Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje.
“Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje” thuhet në njoftimin e prokurorisë.