Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se sot është shënuar edhe viktima e parë nga COVID-19 në Komunën e Kamenicës.
Viktima është një qytetar nga komuniteti serb i moshës 64 vjeçare.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati duke shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit ka kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë udhëzimet nga institucionet shëndetësore.
“Sapo jemi njoftuar se në Klinikën Infektive në Prishtinë, ka ndërruar jetë një qytetar i yni 64 vjeç, i identifikuar me #COVID19. I ndjeri është nga komuniteti serb dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes e miqve. Kjo është vdekja e parë e shënuar në komunën tonë nga virusi SARS-CoV-2. Ky rast duhet të na vetdijësojë të gjithëve që të vazhdojmë kujdesin dhe t’i respektojmë udhëzimet nga institucionet shëndetësore. Ju lutem bartni maskat, mbani distancën dhe dezinfektoni duart vazhdimisht. Me këto tre hapa të thjeshtë siguroni veten dhe tjerët rreth jush. Edhe njëherë, ngushëllimet më të sinqerta familjes!”, tha Kastrati.
Bilanci i të prekurve nga COVID-19 në Komunën e Kamenicës deri më sot ka arritur në 66, 46 janë shëruar, 19 raste janë aktive dhe një qytetar i vdekur.
Mbaj distancën, përdor maskën mbroje vetën dhe familjen tuaj!