Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti, në bashkëpunim me Institutin Rajonal të Shëndetit Publik të Gjilanit kanë shënuar sot Javën e Vaksinimit përmes një aktiviteti me punëtorët shëndetësor të QKMF-së.
Doktoresha Burbuqe Shkodra dhe Dr.Hida Halimi kanë folur mbi analizën e situatës epidemiologjike në Kosovë , me theks të veçantë në Gjilan dhe Viti.
Në këtë takim është folur në veçanti edhe mbi situatën epidemiologjike me fruth. Dr.Shkodra theksoi që në muajin e fundit vërehet një rënie e rasteve të reja të fruthit në Kosovë.
Ndërkaq Koordinatorja Regjionale për Edukim Shëndetësor, Dr.Igballe Qerimi- Shalaku tha se gjatë javës së vaksinimit janë organizuar aktivitete të ndryshme në Viti , Gjilan dhe Kamenicë , ku qëllimi kryesor është ngritja e vetëdijesimit të qytetarëve rreth vaksinimit.
Përndryshe Java e Vaksinimit shënohet prej datës 24-28 prill.