Është mbajtur sot Konferenca e dhjetë Ndërkombëtare e Javës për të drejtat e viktimave të krimit me moton “Drejtësia Rikthen Dinjitetin e Viktimave” e organizuar nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe UN-Women.
Konferencën e hapi Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ka përshëndetur të gjithë të pranishmit në shënimin jubilar të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, javë kjo që këtë vit shënon dhjetë vjetorin e saj me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave’’.
Kryeprokurori Lumezi, theksoi se duke iu referuar temës së kësaj dite, e cila meriton më shumë vëmendje nga institucionet vendore, të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe Ligjet e Republikës së Kosovës, të cilat hyjnë në kuadër të të drejtave themelore dhe si të tilla duhet mbrojtur nga shteti. “Me rastin e shënimit të 10 vjetorit të javës për të drejtat e viktimave të krimit, dua t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, që do t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme që viktimat e krimit të trajtohen me respekt dhe dinjitet. Dua të ju përkujtoj se viktimat e krimit janë një kategori e cila duhet të ketë mbrojtje dhe përkrahje të nevojshme nga Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila, gjithnjë e më shumë është duke treguar gatishmëri dhe përkushtim të nevojshëm për t’i ndihmuar viktimat dhe përgatitur ato për të bërë një jetë normale në frymën e lirisë, paqes dhe mirëkuptimit”, theksoi Kryeprokurori Lumezi.
Po ashtu, Kryeprokurori Shtetit, kërkoi nga të gjithë prokurorët e shtetit dhe mbrojtësit e viktimave që me përkushtim t’i shërbej viktimave të krimit sa herë që ata dëmtohen nga krimi dhe trokasin në dyert e prokurorisë. “Të drejtat e viktimave të krimit realizohen nëpërmjet ligjeve të mira, por që suksesi qëndron në vullnetin e plotë për zbatimin e tyre. Drejtësia kërkon profesionalizëm, por dhënia e saj varet nga integriteti moral i prokurorëve dhe gjyqtarëve”, është shprehur Kryeprokurori Lumezi.
Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka deklaruar se jemi dëshmitarë se gjatë këtyre 10 viteve është fuqizuar Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, me qëllim që viktimave të krimit tu sigurohet ndihma e nevojshme ligjore dhe procedurale. “Kemi caktuar edhe koordinatorët e dhunës në familje dhe të trafikimit me qenie njerëzore në kuadër të secilës prokurori themelore që i trajton këto lëndë me prioritet dhe profesionalizëm për t’i sanuar vuajtjet e viktimave të krimit”, ka potencuar Kryeprokurori Lumezi.
Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi tha se Prokuroria e shtetit ka forcuar kapacitetet njerëzore, infrastrukturore dhe buxhetore dhe si rezultat është arritur të zvogëlohet numri i lëndëve të grumbulluara ndër vite. “Gjatë viteve kemi përfaqësuar mbi 11 mijë viktima të të gjitha kategorive, kurse në rastet e dhunës në familje kemi ushtruar mbi 4 mijë e 600 urdhra mbrojtës dhe i kemi përfaqësuar në gjykatat kompetente. Për dallim nga vendet e rajonit, ne kemi krijuar një legjislacion bashkëkohor, për realizimin e të drejtave ligjore, si dhe për kompensimin dhe trajtimin sa më dinjitoz të viktimave të krimit”, ka thënë Kryeprokurori i Shtetit, si dhe ka theksuar se tashmë ka një numër të konsiderueshëm të viktimave të cilëve u është kompensuar dëmi nga shteti.
Në anën tjetër, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, tha se autoritetet e kanë për detyrë që nëpërmes politikave ndëshkimore, të parandalojnë zhvillimin e dukurive negative, ku theksoi se Kosova si shtet ne aspektin legjislativ ka konsoliduar mjaftë mirë mbrojtjen e viktimave, si dhe, mbrojtja e drejtave të viktimave është prioritet dhe nuk guxon të neglizhohet. “Që nga viti i kaluar unë jam angazhuar intensivisht në unifikimin e politikës ndëshkimore. Sot në shënimin e kësaj jave kemi ligjin para vetës dhe jemi të obliguar që të sigurojmë drejtësi për çdo qytetarë. Në këtë ditë të rëndësishme nuk kemi assesi si mos të përmendim rastet që ndodhin në përditshmërinë tonë andaj qytetarët presin që ligji të zbatohet në përpikëri”, ka deklaruar Kryetari Peci.
Ndërkaq, zëvendësambasadori i ShBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, ka thënë se në 10 vjetët e fundit Kosova po njihet në rajon për avancimin e mbrojtjes së viktimave, “Kosova duhet t’i zbatojë në mënyrë të vazhdueshme urdhrat për mbrojtjen e dhunës në familje. ShBA e ka mbështetur me krenari Kosovën financiarisht në nismat për mbrojtjen e viktimave. Në vetëm 10 vjetët e fundit Kosova është bërë e njohur në rajon në avancimin për mbrojtën e viktimave. Ne i kuptojmë sfidat që përballen viktimat e krimit dhe i përkrahim ata që i mbrojmë këto viktima” është shprehur zëvendësambasadori amerikan.
Edhe zëvendësambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Katarina Stchocker, është shprehur se autoritet kosovare duhet të sigurohen që sundimi i ligjit të zbatohet. “Zvicra mbështet Kosovën në mënyra indirekte në fushën e drejtësisë të viktimave. Korrupsioni dhe krimet financiare pengojnë zhvillimin dhe pengojnë ndikimin e tregut të punës. Kemi një numër të vogël të konfiskimit të pasurisë. Zyrtarët po përfitojnë nga krimi. Kosova ka mjetet e veta dhe është me rëndësi që këto instrumente të përdorin dhe që qytetarët të shohin përfitimet nga këto. Ne i inkurajojmë autoritetet kosovare që të sigurojnë që sundimi i ligjit të zbatohet”, ka thënë ajo.
Menaxher i zyrës për mbrojtjen e viktimave, Basri Kastrati, ka thënë se angazhimi i organeve të drejtësisë për mbrojtjen e viktimave do të vazhdoje gjatë 365 ditëve jo vetëm gjatë kësaj jave, si dhe Kosova nga viti na vit ka një progres të shtuar në angazhimin e mbajtjes së viktimave të luftës. “Gjatë këtyre 10 viteve kemi bërë një progres të duhur edhe në avancimit e pozitës edhe të atyre që i mbrojnë këto viktimave. Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për mbrojtjen e viktimave jo vetëm gjatë kësaj jave po gjatë 365 ditëve”, është shprehur Kastrati.
Konferenca e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, do të vazhdoj edhe nesër më 22 tetor 2019, me panele të ndryshme siç janë të parapara në agjendë.