(2L ONLINE) – Me homazhe dhe nderime në varrezat e dëshmorëve dhe te lapidarët në qendër të qytetit, ka nisur sot shënimi i 7 – vjetorit të pavarësisë së Kosovës, duke kujtuar sakrificën, vuajtjet, dhembjen e popullit shqiptarë ndër vitesh, që në të njëjtën kohë është edhe ditë e krenarisë, dashurisë, vullnetit dhe angazhimeve për ndërtimin e vendit.
Në këto aktivitete që nisin festën e pavarësisë, ishin drejtues të institucioneve lokale dhe qendrore, të sigurisë, familjeve të dëshmorëve, invalid të luftës, veteran, e qytetarë të shumtë.
Me këtë rast në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, ka uruar qytetarët Gjilanas për këtë ditë, duke thënë se sakrifica e dëshmorëve dhe e martirëve të cilët dhanë çdo gjë që për të vetmin qëllim që ne sot të frymojmë lirisht.
“Sakrifica e dëshmorëve, martirëve, invalidëve dhe të tjerëve që në mënyra të ndryshme kontribuuan për lirinë janë mesazh i qartë që ne të vazhdojmë rrugën e tyre për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Po veprojmë që të kemi një demokraci sa më të shëndosh, edhe pse shteti i ri i Kosovës, ka kaluar dhe po kalon nëpër kohë të vështira, jemi duke u angazhuar që ta bëjmë punën tonë sa më të mirë për të garantuar të ardhmen e qytetarëve në nivel të Komunës. Urime të gjithë qytetarëve të Gjilanit, 7 – vjetori i pavarësisë së Kosovës”, tha ndër të tjerash nënkryetari Kadriu.
Ndërsa ish komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se rruga të cilën trasuan dëshmorët nga lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte rruga e sakrificës dhe e përjetësisë së tyre duke dhënë gjithçka nga vetja për të vetmin qëllim, çlirimin dhe krijimin e kushteve për zhvillim të vendit.
Ai poashtu, ka thënë se gjaku i dëshmorëve është themel i suksesit gjatë të ardhmes së një vendi, ndërsa për lirinë e Kosovës janë sakrifikuar breza të tërë.
Ndryshe gjatë ditës, festën e bënë më me vlerë, përurimi i shtëpisë së familjes dhjetë anëtarëshe, e cila ishte deri sot pa kulm mbi kokë. Gjithashtu gjatë ditës do të ketë edhe program të pasur kulturo – artistik, që përfundon me ndezjen e fishekzjarrëve gjatë orëve të vona të natës./2L ONLINE/