(Meditim për romanin e radhës “Përsëri mars” të shkrimtares gjilanase, Albina Idrizi)
Romani “Përsëri mars”i Albina Idrizit mund të cilësohet me të drejtë si roman atraktiv për mënyrën e strukturimit të syzheut, si dhe mënyrën e kompozimit dhe zgjidhjen e konflikteve, të cilat marrin nga angazhimi i personazheve. Ngjarja është strukturuar si një zhvillim linear, me ndonjë retrospektivë të natyrshme, paraqitur edhe me dy-tri fjali, gjithsesi të nevojshme.
Nga: Sherafedin KADRIU
Një linjë të tillë zhvillimi, ta mbushësh me tablo jete nga më të ndryshmet, do të thotë ta kesh përkrah muzën bujare. Gjithsesi, që shpërfaqja e një teme aktuale – thjesht përkufizuar si zhvillim apo ngecje e shoqërisë sonë të pasluftës në aspekte të ndryshme të jetës, me ide herë-herë të fshehura nën petkun e poetikës, që nxisin meditim dhe gjykim për to, si dhe imagjinata e zhvilluar mrekullisht dhe struktura e tërësishme tekstuale, e shquajnë stilin krijues të të shtjelluarit të këtij romani.
Dukuritë jetësore të gjeografisë konkrete (të një qyteze në Kosovë), në kohë reale (të marsit të një viti të pasluftës), janë sjellë me kontradiktat shoqërore dhe ekonomike, bashkë me dështimet e pasojat e trashëzuara, kanë tejkaluar zhgënjimin, për t’u shfaqur si çoroditje absurde, që në aspektin psikologjik, social e etik kanë shpalosur botën e brendshme të disa karaktereve të romanit, se ç’është e vërteta ka dhe personazhe që nuk bien pre e asaj çoroditje. Në një vijë gati paralele me këtë handrak keqësimesh, ftillon guximi për jetë të re, që për lexuesin paraqet një kënaqësi intelektuale, pa qenë nevoja të emërtohet si vizion që gjakohet me patjetër.
Nëse është e vërtetë reale konkrete kjo periudhë jete apo jo, nuk ka rëndësi, – e rëndësishme është të besosh në ngjarjen e këtij romani si lexues, sikundër beson vetë autorja e veprës. Dhe, e vërteta letrare është thurë si konflikt i tipit të mefshtë, që si i tillë shtyhet përpara nga rrjedha e veprimeve, deri kur shfaqet dëshira e kryetarit të komunës për ta blerë një copë tokë për varrin e tij, në pjesën më të lartë të kreshtës. Aty fillon ai konflikti interesant e dramatik në vetvete, sado që rrëfimtari nuk e ekzagjeron tej mase. Aty fillon e shfaqet ajo lufta serioze, tronditëse dhe e trishtë njëkohësisht, se nuk është luftë bërrylash për pozita në shoqërinë konkrete. Është ajo e ardhmja e babëzitur që edhe te varret kërkon status, jo si rikthim në periudhat antike. Kjo është ajo filozofia që shpërfaq ego të sëmura deri në skajshmëri, estetikisht realizuar si psikanalizë artistike. Në këtë strukturë ndërthurjeje është satira ajo që shenjëzon absurditete që përfundojnë si akte jo morale.
Dikush edhe vetëvritet për ta poseduar majën e kreshtës, siç ndodh me Agimin, që paraqet një Sabas më ndryshe, për sa i përket fushës së “bamirësisë” (Sabasi një personazh i novelës “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë, Gabriel Garsia Markezi – Sh. K).
Sjelljet dhe veprimet e tilla janë më të trishta sesa një zgjim nga ëndrra, që zbulohet si çoroditje njerëzore, se e tillë është, por vetëm kur interpretohet nga të të menduarit kritik, që paraqet fazë më të arrirë se të të menduarit e zakonshëm.
Deri këtu shkon veprimi i njeriut të këtij romani. Në këtë absurditet ka dhe lot për vajzën e re, Erën, e cila viziton varrin e saj, për t’i parë dhe për t’u kënaqur me fluturat e ndryshme që i skalit babai i saj mbi pllakën e varrit. Këto situata sjelljesh e veprimesh janë të mundimshme për t’i përcjellë si lexues, se lë më për t’i jetuar! Rast i rrallë ky strukturim romani, ku irealja nuk është vetvetja.
Me pakëz fjalë, fabula e romanit është kjo: Gëzimi është jetim lufte. Për të janë përkujdesur njerëz të ndryshëm. Pas një varg ngjarjesh që nuk janë të shkëputura nga boshti i romanit, kur të tjerët u gëzohen shtëpi-varreve të reja, të hapura hierarkisht në kreshtën e tij, Gëzimi e Lida nisin jetën e re larg asaj lagjeje që po krijohej me varret monumentale.
Vazhdimësia e jetës së Gëzimit dhe Lidës, si një nismë e mbarë e dy të rinjve të dashuruar, sikur edhe ngjyra e kuqërremtë që marrin faqet e Erës, ngërthejnë në vete synimin e dëshiruar, pa pretenduar ta zbulojnë sekretin e të jetuarit në të ardhmen.
Ngjarjet tjera vijnë të lidhura për boshtin e romanit, që është Gëzimi, i cili është në funksion të ngjasimit e me gjasës, sepse paraqitet paksa si i tëhuajsuar nga jeta, sikur nuk e di nga është nisur e ku duhet të arrijë. Mes tjerash, i shkruan letrën Lidës në emër të Agimit. Dhe letra bashkon Agimin dhe Lidën me pakëz përkrahje nga nëna e saj. Pakëz i shpejt afrimi, pa dashuri, pa njohje, që lexohet si interes ekonomik, i cili e tundon Lidën, një vajzë me fakultet, bile-bile, edhe një poete e nisur. E, Lida është vasha që Gëzimi beson se e do, për aq sa e njohim Gëzimin nga jeta veprimtare dhe medituese, që bën në fjalitë e tekstit. Një jetë që cilësohet me një stil veprimi që del si kundërvënie e zbehtë ndaj sistemit shoqëror, edukativ e kulturor të pasluftës; thjesht, një sistemi antivlerash që po ngrihej në qytezën e tij. Kështu del paksa i pagjak në vizionin e tij për jetën. Megjithatë, të ndryshosh nuk është kurrë vonë. Nuk është i vonshëm as ndryshimi i Gëzimit. Kërkesat e tij janë ndryshe, pasi ka kuptuar se nuk mund të heq dorë nga Lida. Ai di tashmë të meditojë seriozisht për të ardhmen e tij, por pa ndërmarrje konkrete. Është Lida, ajo që guxon, ajo që prin. Nuk thonë kot se kur femra dashuron me zemër, atëherë e mund botën.
Si arrihet ky strukturim në këtë roman?
Gjithsesi që nëpërmjet gjuhës që nyjëtohet nga kundërvënie të suksesshme të shenjave gjuhësore të madhësive të ndryshme, deri te teksti. Kundërvëniet e tilla zakonisht përplotësojnë kushtet për t’iu falur fjalive më shumë poetikë, ndërsa përshkrimi i tablove të caktuara është në raport të drejtë me semantikën e fjalëve, të përzgjedhura gjithsesi. Kjo shkathtësi rrëfimi, jo e tejmbushur me poetikë, i rri mirë kërkesës së parë të Tom Xhons, Agaton dhe Vilhelm Majster, se “romani nuk duhet të jetë “poetik” në atë masë, siç janë poetike zhanret e tjera të letërsisë”. Ndoshta mu për këtë karakteristikë cilësore, romani i Albina Idrizit, të nxitë për një komunikim sa thellësor, aq kërkues. Thënë ndryshe, struktura e romanit përplotësohet nga poetika si mëlmesë e hedhur me masë në gjellë, duke shpërfaqur shumëkuptimësi.
Në anën tjetër, përshkrimi i tablove të ndryshme është një karakteristikë tjetër e përmbushur me mjeshtri. Është gjuha ajo që i jep dukje vendit e sendit, ambientit përgjithësisht. Kështu mund të thuhet edhe për përshkrimin fizik të personazheve, ndërsa përshkrimi i psikologjisë së tyre arrihet shumë kujdesshëm, me fjalë të zgjedhura për semantikën e temperamentit të secilit prej tyre, duke shtuar këtu edhe dialogët që nuk kanë “fryrje dramatike”, por dalin më tepër si dialogë mirësjelljesh, edhe në situata kur nuk do të pritej diçka e tillë. Komunikimi kushtëzohet nga mënyra e ndërtimit të fjalive, zakonisht përshtatur me profesionet e personazheve, pozitat në shoqëri, kamjen o vobektësinë, gjininë etj., përjashto një rast që ka të bëjë me një të metë fiziologjike. Pikërisht, në këtë shpërfaqjeje do duhej parë dendurinë e tyre dhe befasinë që shkaktojnë personazhet e këtij romani, qofshin ata personazhe që jetojnë edhe vetëm në pak fjali.
Më mirë flasin disa pasazhe të nxjerra nga romani.
Përshkrimi i një dite me shi:
Shiu kishte pushuar dhe retë po davariteshin duke iu bërë vend rrezeve të një dielli pranveror. Krasta ngrihej përpara tij e lartë dhe e heshtur. Brazda të panumërta nga shiu derdheshin teposhtë në përrenj të vegjël për t’u shuar mu përpara këmbëve të tij. Gëzimit i ngjanë në lot të një syri gjigand të fshehur nën re që sapo kishin mbështjellë majën e krastës. F. 60.
***
Përshkrimi fizik i Lidës:
Një faqe brendshme reflektohej përmes syve të mëdhenj bojëkafe të hapur prej qelibari të ndritshëm, hundës paksa të ngritur dhe gojës së vogël pothuajse gjithmonë në një nënqeshje të lehtë, me të ndarën përmes buzës së poshtme si të një qershie të pjekur e të lëngshme. F. 59.
***
Përshkrimi meditimi në veten e tretë:
Në portretin e Lidës, ai u bind se, e bukura ishte gjetkë, larg tipareve me të cilat nuk kishte të bënte aspak në çastin që po e shikonte. Dhe asnjë çast tjetër. Ishte diku më thellë. Brenda tyre. Apo mbase ishte dashuria e tij. Vetëm ajo mund të depërtonte aq thellë dhe ta ndiente. E bukura ishte në të. E përjetshme. E pamatshme. E tillë që i shkrinte dy qenie në një. Pa trajtë. Pa formë. Pa kohë. Në të nuk ekzistonte as Gëzimi as Lida. E, në të njëjtën kohë, ishin të dy që përmbushnin njëri tjetrin. F. 101.
***
Dialogu ndërmjet vajzës së sëmurë, Erës dhe prindit të saj, Metit:
– Po këtë fluturën e nisur, do ta përfundosh nesër bab?
– Po bijë, nesër patjetër! – u përgjigj ai me një zë të ngjirur.
– A mundesh t’ia bësh krahët me pika këtu në fund? Ja, këto pjesët e poshtme të krahëve. Do të bëhej një flutur kaq e bukur…, – bashkoi ajo duart në gjoks me një admirim të thellë në fytyrë thuajse po e shihte.
– Do t’ia bëj, zemra e babit, do t’ia bëj ashtu si thua ti, – zëri sa vinte e ngjirej më shumë Metit.
– Sa kisha dashur ta shoh kur ta përfundosh, – tha Era.
Nuk e shikoi askënd kur foli. Zëri i saj qe më i heshtur e më i qetë, pa atë entuziazmin e parë. Ishte koj, më tepër, një dëshirë dënuar që në fillim të shuhej nga vetë zëri i saj i vetëdijes, i pajtuar me mosmundjen. Një mendim i amrrë që kishte harruar se kishte të bënte me një të sëmurë të lidhur me muaj të tërë për shtratin e cila nuk kishte kurrfarë gjasash të vraponte pas fluturave.
Në vazhdim:
… me frikën se mund të pësonte ndonjë sulm (Meti – Sh.K.), iu afrua dhe i mbështeti kokën në gjoksin e tij. Pastaj u përkul dhe e puthi të bijën në tepën e kokës me një puthje të gjatë sa ndjeu shijen e njelmët të lagështirës ku kishte pikuar një lot i tij. Zemra e prindit njihte më mirë se çdokush gjuhën e pafjalë të fëmijës së tij në mimikën e fytyrës, përpëlitjen e syve, fërgëllimën e flegrave të hundës a dridhjen e buzëve. F. 147.
Në mbyllje të këtij shkrimi, mund të konstatojmë se romani “Përsëri mars” është nga ato romanet koherente dhe aktive, me një strukturë dhe qëllim estetik, që shpërnderohet nga jeta e përzgjedhur, ku individualja është integruar bukur me të përgjithshmen shpirtërore dhe ambientale. Është një vepër e pëlqyeshme, që të merr përpara dhe të shpie gjer në fund, pa farë lodhjeje. Ndërsa, pas leximit, është e pamundur të mos i shtrosh vetes sa e sa pyetje, lidhur me ngjarjet, personazhet, konfliktet, gjuhën, poetikën, dialogët, sintaksën e romanit etj. Dhe një roman që të nxit dhe të bën kaq kërkues edhe pasi ke lexuar fundin e tij, me të drejtë mund të thuhet se ka të formësuar një shkathtësi komunikimi që është rezultat i manifestimit të asaj ngarkesës thellësore të cilën shkrimtarja arrin ta përçojë vërtetë suksesshëm.