Ajete ZOGAJ
SHENJAT E HASAN PRISHTINËS
Rifat Ismaili “Hasan Prishtina” roman, botoi Ndërmarrja Botuese “RILINDJA” Prishtinë 1994
“Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vijnë mbas nesh, kanë me i gjetë shenjat tona”- Hasan Prishtina[1]
Hyrje
Ngjarje dhe bëma historike, luftëra dhe beteja për liri përcollën fatin e kombit tonë…Fatin e atyre që mbi interesin personal vendosën interesin e vendit të tyre, ATDHEUN mbi të gjitha!
Këto ngjarje dhe protagonistët e tyre, u jetësuan në kujtesën e kombit tonë, u ‘gjallëruan’ në këngët tona, i mësuam në librat e historisë, u letrarizuan në prozë e në poezi…
Riftat Ismaili, studiuesi dhe autori ynë i mirënjohur, me ngulm e me mjeshtëri iu përvesh punës me i ‘gjetë shenjat’ e Hasan Prishtinës, ato shenja të shenjta e të shtrenjta të cilat feksin si një meteor i ndritur i kujtesës sonë, asaj të një populli të lashtë…
Monument për Hasan Prishtinën
Romani “Hasan Prishtina” i autorit Rifat Ismaili, është një gërshetim i
realizuar artistikisht e estetikisht i fatit historik të njërës prej figurave më përfaqësuese të historisë tonë, Hasan Prishtinës, duke sjellë para lexuesit karakterin e tij prej një atdhetari e arsimdashësi, që tërë pasurinë e shkriu për shkollimin e të rinjve shqiptarë, një diplomati e një mendjendrituri i cili flijoi veten për të mirën e vendit.
Gjithçka nis me Prologun i cili vjen si një udhërrëfim artistik me të cilin lexuesi fillon ‘udhëtimin’ e tij, nga ‘vendi që kishte mbetur në pleq, përmbytje që po ndillte një fatkob që solli reformat osmane, kohë në të cilën Ali Abdullahu vendoset në kasaba, martohet me të bijën e Fuat Beut, Elmazen, lindjen e tre djemve të cilët “…përbënin secili një botë më vete, brenda stuhisë së madhe të kohës…Pati edhe ca nipër…prej tyre, të fundit e pagëzoi Hasanin, dhe i mbylli sytë përgjithmonë…”[2].
Që në prolog, vërehet stili i veçantë i rrëfimit autorial, pa mitizime e sforcime, për të sjellë para lexuesit kohët e rënda të përplasjeve të mëdha kur edhe erdhi në jetë kryepersonazhi i romanit, atdhetari Hasan Prishtina, i cili u lind në erë baroti e padrejtësish, e vra pabesisht po në të njëjtat kohë përplasjesh që vendin e tij e rrezikonin me zhbërje!
Në të katër pjesët që përbëjnë narrativën strukturore të romanit “Hasan Prishtina” autori Rifat Ismali me shumë mjeshtëri, ia ka arritur që përmes gjuhës poetike, të sintetizojë tipizimin e personazheve, karakteret e tyre dhe filozofinë jetësore, të dhëna përmes dialogjeve që zhvillojnë personazhet, ligjërimit filozofik e artistik, duke shpalosur urtinë dhe mençurinë e Hasan Prishtinës dhe bashkëpunëtorëve e bashkëmendimtarëve të tij.
Ajo që e bënë të veçantë rrëfimin poetik të romanit “Hasan Prishtina”, është sinkronizimi i kohës dhe hapësirës gjeografike ku jetojnë dhe veprojnë personazhet, shumica prej të cilëve janë figura të njohura historike, kurse realja dhe surealja janë ngjizur në një tis të hollë historie që edhe sot vjen si jehonë e një kohe të bëmash të mëdha!
Derisa në pjesën e parë të romanit Shpend Berisha rrëfen takimin e tij pas shumë vitesh me Hasan Prishtinën, shpalos kujtimet e fëmijërisë, talentin prej një fëmije të zgjuar i cili vërehej që në moshën e hershme, e të cilën autori e vë në gojën e burrave të odës “-Ky fëmijë vjen nga gjaku ynë i moçëm. Ky do t’i tejkaloj caqet e një brezi…Dhe nëse e gjen rrugën e kohës së vet, do të tërheqë pas shpirtin e një kombi…”[3]
Rrëfimi vazhdon natyrshëm nga Shpend Berisha i cili sjellë në formë kujtimi fillesat e shkollimit të Hasan Prishtinës në mejtep, hoxhën në rolin e mësuesit dhe shokun e tij Namikun, botën e errët që shpalosnin dogmat fetare, si dhe mendimet e ndritura të profesorit Hafëz në Iptidai, iu cili ushqente atdhedashuri të pashoqe tek nxënësit e tij.
“- Vërtet, orët e tij, ngjajnë në vatra jete, ku do të gjejë prehje bota jonë e trazuar….- thoshte Hasani….Pastaj na thoshte profesori: “ –Në këngë jeton gjithë bota jonë e trazuar…Lëvizë gjaku ynë i moçëm…Gjaku, në të cilin, ruhet dashuria e brendshme për gjithë atë që ka ekzistuar…”[4]
Rrugëtimi i shkollimit të Hasan Prishtinës vazhdon në Liceun e Selanikut, ku vjen ngjallja e kujtimeve të fëmijërisë…
“Hasani, një ditë deri sa po mësonte në dhomë, gjen ca fletë, që i kishte ruajtur mes librash. Kishte në to ca emra shokësh. Emrin e një vajze e kishte nënvizuar…Nëpër ato shenja, kishte ca gjëra që nuk i kujtoheshin…Ishin ca gjurmë të lëna prapa në atë botë të vogël e të mjegulluar!”[5]
Jeta e Hasan Prishtinës shtrihet në një hapësirë gjeografike mes Vushtrrisë, Vjenës, Stambollit, Selaniku e Gracit…i shoqëruar me shumë shokë të idealit, Reshitin, Samirin, Zejnullahun, Janisin, Isanë, etj., në zemrat e të cilëve vlonte dëshira për atdheun e lirë, për mëvetësinë e tokave shqiptare. Brenga e madhe e Hasan Prishtinës ishte se ‘brezat po presin, sikur ndonjë valë t’i nxjerrë në ndonjë fat tjetër, por që një kapërcim i tillë nuk ekziston, derisa gjendja në Kosovën e atyre viteve ‘të kujton diçka të mbetur nga harta dhe fati i Ilirisë, veç në përmasa më të zvogëluara të saj…ashtu siç e ka ngrënë koha, ashtu siç e kanë gërryer rrebeshet e shekujve!’. Hasan Prishtina ishte i bindur se “mëvetësia do të realizohet një ditë. Atëherë do të shpaguhen të gjitha flijimet tona…E brezat, pastaj, do të vazhdojnë një udhë tjetër, të cilën ne nuk e patëm’.’[6]
Pjesa e dytë e romanit fillon me tregimin e Sokol Dukagjinit, rënien e Sulltanit dhe zëvendësimin e tij me Abdyl Hamitin, reformat gjonturke të cilat nën maskën e reformave rënduan edhe më jetën e shqiptarëve. Trazira vazhduan edhe në Kosovë, që sipas autorit ajo dridhej e leckosur. Ekspeditat e Xhavit Pashës po rrënonin vatrat e Kosovës, me dredhi e terror. Krahas Hasan Prishtinës autori Rifat Ismaili portretizon edhe figurën e Plakut të Vlorës Ismail Qemailt, i cili shquhet për mendimin e matur në përkrahje të ideve të Hasan Prishtinës për ‘flijimin e madh’ , por që nuk kemi rrugë tjetër, thotë bindshëm Ismail Qemali. Në roman janë ravijëzuar artistikisht ngjarje, të dhëna të rëndësishme faktografike në sfondin historik, shkrime të gazetave të kohës si të “Flamurit” të Faik Konicës ku viheshin në spikamë veprimet atdhetare të Hasan Prishtinës dhe Nexhib Dragës: “…po dolën dy burra dhe fuqia e Kosovës nisi të ndërrohet…të këndellet shpirti i saj i lashtë… Ata përmbysën raportet meskine mes njerëzve, mposhten intrigat dhe vendosen alfabetin latin. Në Kosovën e dërmuar, futën një shpirt thjeshtë shqiptar…”[7]
Në roman autori ka portretizuar edhe një galeri të tërë personazhesh që shpirtin e tyre ia kishin shitur djallit duke u vënë në shërbim të pushtuesve, siç ngjet me Fuat Anadollin, Arif Hiqmetin, Reiz Beun Isuf Reçin e ndonjë tjetër.
Kërkesat e aprovuara në kuvend të cilat i lexoi Hasan Prishtinës ishin të qarta, ishin një kushtrim i cili jehon fuqishëm deri në ditët tona:
“ Zëri i tij i thellë jehoi përtej kohës: …të sigurohet tërësia e viseve shqiptare…të krijohet një qeveri shqiptare…një flamur i veçantë…shkollat shqipe…[8]
Bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët e Hasan Prishtinës, janë tipizuar nga autori me virtytet e atdhetarëve që janë në gjendje të flijohen për të mirën e atdheut, si: Driton Kosova, Isa Boletini, Bajram Curri, Zejnullah Beu, Xhemajl agë Berisha të cilët shquhen për guxim, strategji në luftë deri në fitore.
Pikëpamjet e Hasan Prishtinës se kombi është mbi të gjitha, autori i shpalos bukur në një dialog që Hasan Prishtina zhvillon Ibrahim Pashën: “Pasha, ia priti Hasan Prishtina, -feja nuk ka të bëjë me kombin. Zotëria juaj jeni nga Manastiri, shqiptar, andaj…hapni sytë në këto çaste, nëse doni të shpëtoni diçka nga emri juaj!”[9]
Pjesa e tretë e romanit fillon rrëfimin e Petrit Kodrës. Ishte fillimi i decenies së dytë dhe të tretë që për Kosovën ishte shumë vrastarë…kohë kur synohej asgjësimi i qenies sonë si popull e si komb!
Është koha kur Hasan Prishtina kalon në Shkup, gjithnjë me qëllimin e vetëm, ta forcojë lëvizjen për liri, derisa në Shkodër në një kafiteri kurdiseshin komplote kundër Hasan Prishtinës…Në Podgoricë vritet Isa Boletini i cili çdo hap të kohës e ka matur me dinjitet… e në Malet e Radishevës që digjeshin flakë, Azem Bejta përdorë taktikë të veçantë.
Takimi me Ceroviqin është një takim interesat dhe shumë domethënës.
Figura e Azem Bejtës dhe Hasan Prishtinës shpërfaqim qartazi vizionin dhe largpamësinë e tyre duke kuptuar lajkat dhe duke mos pranuar peshqeshet e Ceroviqit: “Këto vatra që na i lanë stërgjyshërit, do ti mbrojmë me gjithë forcën tonë. Ne, nuk kemi dal maleve për grada dhe pasuri, por për të luftuar për liri.”[10]
Hasan Prishtina përcillej këmba e këmbës…fatkeqësisht nga njerëzit e gjakut të shitur ( fatkeqësisht ishin shqiptar, njerëz të Zogut). Ata i rrethuan në shtëpinë e tyre Hasanin dhe gruan e tij Igballen, por falë mençurisë së Igballes, arritën të largohen. Vrasja e Azem Bejtës, ishte një lajm tronditës për Hasan Prishtinën.
Në pjesën e katërt të romanit, autori ka vendosur një rrëfimtar tjetër, Skifter Vushtrrinë. Hasan Prishtina ishte vendosur në Vjenë afër klubit të shqiptarëve të mërguar dhe banonte te miku i tij zotëri Urbani. Mbreti Zog kishte paguar njerëz për ta vrarë, por Hasan Prishtina ishte i vendosur në rrugëtimin e tij në dobi të atdheut, prandaj thoshte: “Nëse e masim çdo hap me droje, ne nuk do ecim fare.”[11]. Më pastaj, Hasan Prishtina kalon në Grac aty ku kishte edhe studentë shqiptarë. Edhe atje përcillej. Ishte bërë halë në sy për qeverinë e Zogut. Një nga një po i vriteshin shokët, bashkëluftëtarët…Gjejnë një vrasës me pagesë, Ibrahim Lisin i cili do të udhëtonte në Vjenë, por i dehur në një kafene që zbuluar qëllimi i ardhjes së tij.
Hasan Prishtina ishte më i vendosur se kurrë, në mbrojtje të interesave të popullit shqiptar. “(…Mue në idenë t’eme patriotike nuk ka muejtë as nuk do të muej me më shtrue ari i tanë botës, por as mënia e të tan anmiqve. Ka me më shtrue vetëm vdekja…)[12]. Jeta e Hasan Prishtinës vështirësohet. Dëbohet nga Vjena, vendoset në Munih, pastaj një qëndrim i shkurtër në Vjenë për të vazhduar në Paris.Vdekja e gruas Igballes është një goditje e madhe për Hasan Prishtinën, nuk mundi t’ia përmbushte as amanetin e fundit që ta varroste në Vushtrri, në Kosovë, nuk iu lejua. Igballja varroset në Selanik.
Vrasja e Hasan Prishtinës kishte filluar herët. Tri qeveri, njëherësh, i krijonin gracka. Prandaj, çdo çast mbante në vete mundësinë e shpërthimit të asaj që ishte përgatitur. Vrasësi i bie në gjurmë Hasan Prishtinës dhe kthehet në Selanik për ta përcjellë deri në shkrepjen e katër plumbave pas shpine. Hasan Prishtina u vra pas shpine, ngase vrasësi nuk kishte fuqi t’i dilte përballë..
U vra ai që në ëndrrat e tij kishte vënë themelet e një shteti tjetër shqiptar.
Një tablo shumë e realizuar e këtij romani është dhënë në kapitullin e fundit të pjesës së katërt, ku në shtëpinë e Ymerit në Selanik ishin mbledhur burra të shquar nga vende të ndryshe, e secili prej tyre portretizonin Hasan Prishtinën, i cili në udhën e rrahur të fatkeqësisë sonë, ka qenë një udhëtar, që s’e përfilli fare fatin e vet, që jetoi kudo, por jo në jetën e vet. Ai e deshi shumë vendin e vet, por këtij vendi nuk ia la asnjë trashëgimtar. Kortezhi ishte i gjatë e trupi iu mbulua me flamur, me atë flamur që ai e deshi aq shumë.
Romani mbyllet me pjesën Epilog, ku rrëfimtarët e katër pjesëve të romanit i mundonte enigma e vrasjes së tij. Synojnë të gjejnë kryesorin e kësaj vrasje, ngase Ibrahim Çela ishte hallka e fundit e mekanizmit të kësaj vrasje.
Përfundim
Romani “ Hasan Prishtina” i autorit Rifat Ismaili, shquhet për vlerat artistike me të cilat ka arritur ta letrarizojë njërën prej figurave më të ndritura të kombit tonë, Hasan Prishtinën. Është gjuha e pastër, stili i gdhendur në fjalë e fjali të shkurtra e të qarta, janë fjalët e urta dhe mençuria e thurur aq bukur në rrëfimet e personazheve…E dialogjet e dhëna me thellësinë e mendimit, me bukurinë e shprehjes artistike, janë një veçanti dhe begati e këtij romani.
Vlerat e romanit janë shumëdimensionale: mund të bëhet një skenar i bukur filmi, një histori e letrarizuar për studiuesit e veprës së Hasan Prishtinës.
Romani “ Hasan Prishtina” i Rifat Ismailit, është një monument i bukur letrar për Hasan Prishtinën!
[1] Hasan Prishtina, “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912” Botoi “Rrokullia” Prishtinë, 2009 (Botimi i parë në Kosovë)
[2] Rifat Ismaili, “Hasan Prishtina” botoi “Rilindja”, 1994, fq.11
[3] Rifat Ismaili, “Hasan Prishtina” Botoi “Rilindja” 1994, fq. 15
[4] Po aty, fq. 20
[5] Po aty, fq. 22
[6] Po aty, fq. 53
[7] Po aty, fq. 78
[8] Po aty, fq.90
[9] Po aty, fq.109
[10] Po aty, fq. 142
[11] Po aty, fq.177
[12] Po aty, fq. 193