Shoqata Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane “Shën Tereza” nga Altottingu festoi 9 vjetorin e pavarësisë.
Florim Zeqa
Shqiptarët në Altötting, Mühldorf, Traunstein, Rosenheim, Pfarrkirchen e rrethinë të bashkuar rreth shoqatës “Shën Tereza” në Altotting, me 11.02.2017 në Ristorante Pizzeria “PALERMO” në Muhldorf u organizua manifestimin kulturor për nderë të 9 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Mnifestimi filloi me intonimin e hymnit shtetëror të Kosovës (për herë të parë edhe me tekst), për të vazhduar me hymnin kombëtar “Rreth flamurit…”, të kënduar nga të gjithë të pranishmit në salen e madhe të restorantit “Palermo”.
Programin artistik e udhëheqi në mënyrë briliante moderatorja Shyhrete Baliu-Blakaj, e bija e veprimtarit Fadil Baliu, e lindur dhe rritur në shtetin gjerman. Moderatorja e programit fillimisht për një fjalë përshendetëse e ftoi kryetarin e Shoqatës Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane “Shën Tereza”, zotin Imer Kurti, i cili pas urimit për festën e pavarësisë, i falenderoi të gjithë të pranishmit në këtë aktivitet, duke ju dëshiruar mirëseardhje dhe argëtim të këndshëm me programin e pasur artistik.
Më pas, për nga një fjalë rasti u ftuan mysafirët e nderit nga Italia; Rizah Hykolli (kryetar i Shoqatës Atdhetare “Nënë Tereza” nga Concordia Sagittaria), Florim Zeqa (Gazetar dhe Analist i pavarur) dhe Hamit Kurti (veprimtar).
Pjesa e parë e programit artistik filloj me kengën “Vallet e vendit tim” nga këngëtari i ri, por shumë i talentuar Dardan Kurti, i përcjellur nga ansambli i valleve të shoqatës “Shën Tereza” nga Altottingu.
Rapsodët e njohur Adem Berisha dhe Fadil Hakolli i kënduan dy këngë folklorike nga repertoari i tyre i pasur burimor,…për të vazhduar me këngën “Mos ma prek ti shkja Drenicën”, të interpretuar për mrekulli nga voglushja Valentina Kurti në duet me motrën e saj Lindën, këngë e cila ngjalli emocione të fuqishme nga të pranishmit në sallë.
Në vazhdim, radha i erdhi grupit recitues të shoqatës me katër poezi të zgjedhura. Arbesa Kurti recitoi poezinë “Gjaku shqiptar” nga poeti Besnik Palnikaj, Dardan Kurti recitoj poezinë “Të bukurat e gurit” nga poeti Rexhep Hoxha, Blerina Selimi recitoi poezinë “Krenohu atdhe” dhe Valentina Kurti” poezinë “Legjendë ndër mote” nga poeti Hamdi Kurti.
Pjesa e parë e programit artistik u mbyllë me potpuri vallesh nga grupi artistik i shoqatës “Shën Tereza” nga Altottingu.
Më në fund i erdhi radha embëlsirës, që dhuroi pjesa e dytë e programit artistik me yjet e estradës shqiptare; Beqir e Armis Telaku dhe Driton e Bahri Kamerolli. Zëri i bukur i yllit të muzikës shqiptare Beqir Telaku i përcjellur me muzikën ritmike të Armis Telakut dhe Driton Berjanit u përcollën me vallëzim të përbashkët të bashkatdhetarëve deri në orët e para të mëngjesit të 12 shkurtit 2017.
Pa dyshim, atmosferën në sallë e elektrizoi ylli i estradës shqiptare, këngëtari më i dashur dhe më i kërkuar i mërgatë sonë, i madhi Beqir Telaku. Secila këngë e tij më e mirë se tjetra, më e këndshme dhe tërheqëse për mërgimtarët, por kënga e “Pavarësisë” dhe “Dy tupana n’derë të kullës” emocionuan tej mase mërgimntarët që me dekada fizikisht ndodhen jasht atdheut, por me zemër e shpirtë gjithmonë i qendruan besnik vendlindjes së tyre të shenjtë.
Pas shënjtërimit të Nënë Terezes me 5 shtator 2016 nga Selia e shenjtë-Vatikani, Shoqata Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane nga Altottingu (Landi i Bavarisë-Gjermani), është shoqata e parë në rruzullin tokësor që pagëzohet me emrin “Shënë Tereza”.
Ideja për themelimin e shoqatës me këtë emër, rrjedhë prej kryetarit Imer Kurti, veprimtarit dhe udhëheqësit të grupit të pavarur artistik “Drenica”, me një traditë të gjatë veprimi në shtetin italian.
Pas sukseseve të shumta në skenat e mërgatës shqiptare dhe ndërkombëtare në Itali, dy vite më parë familja atdhetare e Imer Kurtit (Abri e epërme-Drenas, me traditë të gjatë artistike), për shkaqe ekonomike detyrohet të zhvendoset në shtetin gjerman.
Edhe përkundër vështirësive dhe peripecive të shumta të vendosjes dhe adaptimit në rrethanat e reja në shtetin gjerman, Imer Kurti asnjëherë nuk e ndërpreu veprimtarinë artistike dhe lidhjet me bashkveprimtarët e mëparshëm, me pjesëmarrjen e grupit artsitik “Drenica” në aktivitetet e shoqatës “Nënë Tereza” në Concordia Sagittaria” dhe shoqatat tjera të pjesës veriore të Italisë.
Vlenë për t’u theksuar se në këtë aktivitet kulturor, prezent ishin edhe veprimtar dhe afarist të dalluar në mërgatë, si: politikologu dhe biznesmeni Adam Olluri, veprimtarët Skënder Baraliu, Fadil Baliu, Mentor Mazrekaj, afaristi Florim Berisha (pronar i Pizzerisë “ADRIA” në Emerting), etj.
Këtë mbrëmje festive e karakterizuan disa gjëra, duke filluar nga organizimi i shkëlqyeshëm i stafit të shoqatës “Shën Tereza”, prezenca e madhe bashkatdhetareve nxjerri në pahë dashurinë ndaj atdheut dhe respektin ndaj pavarësisë së Republikës së Kosovës, gërshetimin e vlerave artistike dhe kombëtare duke filluar nga fjala, vallet dhe këngët e bukura shqipe.
Organizim briliant i këtij manifestimi nga ana e stafit të shoqates ,,Shën Tereza”, përformanca e shkëlqyer e grupit artistik “Drenica” dhe prezantimin në nivelin më të lartë të yjëve të muzikës popullore Beqir Telaku dhe Bahri Kamerolli e elektrizuan atmosferën në sallë, duke shkaktuar emocione të papërshkruara me fjalë, të përcjellura me duartrokitje të gjata të bashkatdhetarëve të shumt në sallë, apo shprehur ndryshe, kësaj radhe “Shën Tereza”, dridhi landin bavarez, duke dhënë shëmbullin më të mirë të organizimit të festës shtetërore.
Krejt në fund, ja vlenë për të përmendur edhe zotin Gazmend Blakaj i cili është përkujdesur për pritjen e mysafirëve, mbajtjen e rregullit dhe ndihmën në përgatitjen skenike të ambientit festiv në sallen e madhe të restoranit “Palermo”.