Një vlerësim imi modest për njërin nga romanet më të mira të Annton Nikë Berishës
Nga: Sabit RRUSTEMI
Si hyrje
Njëri ndër shkrimtarët më të lexuar e më të vlerësuar brenda e jashtë Kosovës, Anton Nikë Berisha, provën e parë serioze dhe atë me shumë sukses, në prozën për të rritur e bëri në fund të shekullit të kaluar, përkatësisht në vitin 1993,përmes botimit të romanit BIMORJA, nga Redaksia e Botimeve “Rilindja”të Prishtinës, të cilin pas gati 10 vitesh e përpunoi dhe e solli përmes një botimi të dytë nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” (2012).
Gjatë viteve të shtatëdhjeta e të tetëdhjeta ( shek. XX ), Anton Nikë Berisha njihej më shumë si studiues i letërsisë dhe atë, i folklorit shqiptar, ku ishte dëshmuar më shumë në kritikën letrare dhe në mbledhjen, përgatitjen për botim dhe vlerësimin e krijimtarisë sonë letrare gojore.
Falë një njohje të thellë të këtij thesari të çmuar të popullit tonë, ai, letërsinë tonë e pasuroi edhe me dy nga romanet, ndër më të bukurat e këtij lloji,“Motra kërkon vëllezërit” ( 1984 / 2011) si dhe “ E bukura e dheut”( 1989/ 2011/ 2015 ).
Pa i përmendur dhe veprat tjera të kësaj kohe, ky intelektual i shquar shqiptar, krijoi një përvojë të thellë në fushën e letrave shqipe, si në studimet letrare, ashtu edhe në krijimtarinë origjinale.
Sot BIMORJA (botimi i dytë) vlerësohet dhe hyn në mesin e romaneve më të mira të letërsisë shqipe, ndërsa GJIN BARDHELA I ARBRESH & ETJA E GURËZUAR, të cilën e kemi dhe objekt shqyrtimi, hyn, pa ndonjë teprim, në romanet më të mira të Ballkanit, në këtë njëzetvjetësh të parë të shekullit XXI.
Gjin Bardhela nuk u krijua rastësisht
Vitet nëntëdhjeta të fundshekullit XX, ishin të rënda për një popull të shtypur, siç ishin shqiptarët e Kosovës. Dhuna dhe represioni serbë thellohej dita – ditës dhe nga vendi u detyruan për t’u larguar dhe intelektualët, të cilët u përzunë nga vendet e tyre të punës.
Një fat të tillë përjetoi edhe Anton Nikë Berisha, ish këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ai mërgoi fillimisht në Munih të Gjermanisë, ku ligjëroi (një vit) në Katedrën e Albanologjisë të cilën e drejtonte profesori dhe studiuesi i njohur gjerman Wilfried Fiedler, trashëgimtar i Martin Camajt, e më pas, për gati më shumë se dy dekada, u vendos në Universitetin e Kozencës, në Kalabri të Italisë, ku ligjëroi gjuhë e letërsi shqipe dhe ishte në kontakt të vazhdueshëm me arbëreshët e këtij vendi, të cilët ishin ngulitur në këto anë qysh nga mesjeta, kur, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, populli i Arbërit ra përfundimisht nën pushtimin otoman.
Prania e tij, në këtë pjesë të Italisë, përkatësisht në mesin e arbëreshëve, u dëshmua shumë prodhimtare, si në fushën e studimeve letrare, ku nga pena e këtij studiuesi të mirëfilltë u vlerësuan e rivlerësuan figura të njohura të letërsisë arbëreshe,pastaj në pjesën e vlerësimit të krijimtarisë gojore arbëreshe, e ruajtur me shekuj dhe me një fanatizëm të paparë nga kjo pjesë e trungut Amë, në vlerësimin dhe afirmimin e krijimtarisë letrare të shkrimtarëve bashkëkohës arbëreshë po, për mendimin tim, edhe me gjetjen dhe nxjerrjen në sipërfaqe të një kryepersonazhi si Gjin Bardhela, figura e të cilit përmbledh në mënyrën më të mirë identitetin arbëresh dhe qëndresat e kaluara nëpër shekuj, deri te ky që po e jetojmë.
“Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”, që u botua edhe në gjuhën italiane (2013) dhe pati një jehonë të madhe në mesin e shkrimtarëve, kritikëve dhe lexuesve italianë, erdhi me misionin për ta rifreskuar kujtesën arbëreshe dhe gjakun e shprishur nëpër kohë që, u ruajt me plot mund si dhe për të paralajmëruar në mënyrën më të mirë se kjo pjesë e shkulur e trungut shqiptar, thjeshtë është e pazhbëshme, edhe në shekujt e ardhshëm.
Ky kryehero i këtij romani, i cili mund të jetë dhe arbëreshi i parë që lëshoi rrënjë përtej Detit, po dhe i fundit që s’heq dorë nga të qenit pjesë e Trungut arbëror shqiptar,përmes njohjes së thelluar të krijuesit të tij, Anton Nikë Berishës, në njërën nga ditët e përditshme të jetës, që qëllon të jetë dhe dita e Tij e fundit, shfrytëzon rastin dhe i rikujton, ripërpunon duke i veshur me një pamje të re të kohës, gjithë ato balada, legjenda, gojëdhëna e përralla shqipe, të cilat ishin ruajtur dhe rrëfyer nëpër shekuj, për t’ua lënë brezave që vijnë, të shkrira artistikisht, mbështjellë brenda kornizave të një romani , i cili, atë thesar të rrallë të kësaj pjese të Trungut Amë,ua lë amanet brezave që vijnë, për ta ruajtur qenësinë arbëreshe, pandërprerë nëpër kohë.
Nga kjo del se, Gjin Bardhela nuk u krijua rastësisht, as nuk u bë rastësisht prijës i ruajtjes së identitetit arbëresh në shekujt që vijnë, tash kur globalizimi dhe shlyerja e kufijve apo koha e integrimeve, i godet pa mëshirë popujt e vegjël e, veçmas pakicat kombëtare apo pjesët e shkulura të trungjeve amë, të cilat nga kombet shtetëformuese, cilësohen vetëm si komunitete.
Ai del hapur, përmes zërit dhe imagjinatës së bujshme të AntonNikë Berishës (që mund të jetë dhe vetë Gjin Bardhela), me një freski të jashtëzakonshme të kujtesës, përkundër moshës, për t’iu rrëfyer atyre që i takon, ashtu në mënyrë spontane, apo dhe atyre që i vijnë në mbamendje, se ne jemi po ai TRUNG, përmes fakteve të pamohueshme siç janë baladat, legjendat, përrallat dhe gojëdhënat shqiptare. Madje, fiton përshtypjen se, falë shumë Gjinë Bardhelëve nëpër kohë, origjinali i këtij thesari popullor, si pjesë e identitetit arbëror, është pikërisht te KËTA, te kjo Amë e shkulur e cila me mish e shpirt e me zorrë nëpër këmbë e ruajti deri në ditët e sotme.
Rishfaqja e këtij thesari, përmes një romani të këtillë, thuaja të papërsëritshëm për nga natyra dhe mënyra ë të shkruarit – rrëfyerit, është dhe një garanci plus që Shpirti i Arbrit do të rrojë dhe do t’i sfidojë, edhe shekujt që i kemi përpara.
Bukuria e të rrëfyerit shqip
Shkrimtari Anton Nikë Berisha,duke bashkëjetuar për vite me këtë pjesë të Trungut Tonë, nuk ka mundur më mirë ta vendosë ngjarjen përveç se në Maq, në vendlindjen e rilindësit të shquar, Jeronim de Radës, e cila tashmë nënkuptohet, është edhe vendlindje e Gjin Bardhelës dhe e gjithë personazheve që i bashkëngjiten apo i kujtohen gjatë një dite të plotë, këtij kryepersonazhi, që nga “Rrëfejzat e brejtura” e deri te “ E bukura e dejtit “.
Nëse me emrin e Jeronim de Radës, Garvil Darës së Ri, Ze Skiroit, Zef Serembes e shumë të tjerë, rroi shpirti i Arbrit gjatë shekujve XIX e XX, me Gjin Bardhelën dhe me plot bashkëkohës të tjerë, do të sfidohen edhe shekujt në ardhje.
Bukuria e të rrëfyerit shqip, e cila përshkon pandashmërisht, të gjitha“rrëfejzat’ apo kapitujt e këtij romani, dëshmon jo vetëm për njohjen, përkushtimin dhe qëllimin këmbëngulës të vetë autorit të romanit, po edhe për ruajtjen e kësaj gjuhe nga vetë arbëreshët e Italisë, për gati gjashtë shekuj, për arsye se, njëri nga elementet kyç të ruajtjes së identitetit është pikërisht gjuha.
Po, edhe emrat. Të gjithë personazhet, që nga gjyshja Mri, Magdalena ( Lena), Radi i Radonjve, nënë Dranja, babë Frangu, Mata i Mazrekut, Katja e Marisë apo dhe plakë Kallina, janë emra që identifikohen me qenësinë shqiptare nëpër kohë, prandaj autori, përmes Gjin Bardhelës, e vë këtë në dukje, njëjtë si lehtësinë e kapërcimit nga një kapitull, në tjetrin, që të duket se po kalon thjeshtë, prej një kopshti në tjetrin, ku secili duket më i bukur se tjetri.
Mjeshtëria e ngritur e rrëfimit, ku herë – herë s’di në po lexon poezi apo roman, të mban pezull nga faqja ku nis romani e, deri aty dhe ku përmbyllet, me një barkë mes dallgëve të dejtit, që ndryshe le për të nënkuptuar se sa i papranueshëm është pushteti i vdekjes, po, edhe i ndarjes nga jeta apo dhe nga Trungu Ynë, ku deti është shfaqur në mes, si një lloj kufiri që nuk përpihet lehtë.
Si përmbyllje
“Gjin Bardhela…”, njëjtë si “Bimorja” apo dhe si “Ferri i lodhur”, pavarësisht se asnjëra prej këtyre nuk është veçuar si“vepra më e mirë e vitit” nga institucionet, çmimin më meritor e merr nga lexuesi dhe nga kritika letrare, qoftë ai lexuesi shqiptar apo dhe lexuesi i huaj.
Madje, “Gjin Bardhela”, lirshëm dhe me kënaqësi mund të them se hyn ndër dy – tri romanet më të vlerësuara nga kritika letrare brenda një gjysmëshekulli (deri me tani janë shkruar 52 punime për këtë roman, 27 në italisht.
Po të përkthehej kjo vepër, bashkë dhe me dy të tjerat, në gjuhën angleze, frënge, spanjole ose gjermane, letërsia bashkëkohëse shqipe, në botë do të përfaqësohej me më shumë se një emër që e kemi tash për tash.
Mirëpo, institucionet tona ende po flenë (pa thonjëza) … dhe vlerat e mirëfillta letrare po e përjetojnë vetë fatin e popullit të Kosovës…