Aksionet e fundit të politikës së jashtme Amerikane si në Siri, Korenë e Veriut dhe tani në Ballkan, po sinjalizon se SHBA-ja i ka përvjelur mëngët për të kthyer pozicionin e saj si Superfuqia e vetme demokratike botërore.
Faton Kurti, kryetar i Partisë Republikanët e Kosovës, REK
Vizita e Senatorit John McCain në Kosovë, i cili është jo thjesht një zyrtar i lartë amerikan me ndikim global por edhe mik i madh i shqiptarëve, është e një rëndësie të veçantë, veçmas në situatën aktuale të marrëdhënjeve ndërkombëtare kur Rusia po i shtrin „duart e saj“ gjithnjë e më shumë në rajon.
Ky është një sinjal i fuqishëm për veprim kundër politikës destabilizuese të Rusisë dhe Serbisë në rajonin e Ballkanit. Njëkohësisht është edhe sinjal kundër atyre politikanëve në Kosovë që bëjnë pazare me Kosovën për interesat e tyre të ulëta personale.
Vlerësoj se ky skenar i ardhshëm do të ndodhë shumë shpejt në Kosovë dhe rajon:
• SHBA-ja do të rikthejë fuqishëm fokusin në Ballkan në mënyrë që të mos lejojë influencën Ruse në këtë rajon duke rikonfirmuar aleancën me shqiptarët.
• Në Kosovë pritet që skena politike të ndryshojë rrënjësisht pasi të ndiqen të gjithë ata që me dekada dëmtuan Kosovën dhe qytetarët e saj për interesat e tyre personale.
• Ndryshimi i skenës politike si një efekt Domino do të ndodhë duke filluar në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe në vendet tjera të rajonit.
• Kosova do t’i realizojë të gjitha aspiratat që nuk u realizuan në vitet e pas çlirimit për shkak të keq-qeverisjes: Liberalizimin e Vizave, njohjen e Sovranitetit nga të gjitha vendet e Evropës si edhe Serbisë, pranimin në UNESCO, etj.
Ne Republikanët e Kosovës do të japim kontributin tonë dhe do të jemi pjesë e ndryshimeve politike në Kosovë.
Kur shumë politikanë shqiptarë, në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA nxituan të bëjnë deklarata kundër kandidatit Trump, si kryetar i Republikanëve të Kosovës e mbështeta publikisht Presidentin Trump nëpërmjet deklaratave në media.
Administrata amerikane me në krye Republikanët do t’i përforcojë edhe më shumë raportet e mira me shqiptarët, nga e cila mbështetje ne frymëzohemi për rrugëtimin tonë drejt një zhvillimi të gjithëmbarshëm në frymën e një demokracie të mirëfilltë.