Xherdan Shaqiri, prej futbollistëve më të mirë shqiptar, që luan për kampionin evropian e gjerman, Bayernin nga Munihu, njëherësh lojtari kryesor i kombëtares së Zvicrës, gjithmonë e ka në zemër shtetin e Kosovës. Ai së bashku me vëllezërit Përparim e Mehmet Hetemajn nëpërmjet rrjeteve sociale kanë uruar bashkatdhetarët me rastin e 6-vjetorit të pavarësisë së shtetit të Kosovës. Përparim Hetemaj luan për Chievon dhe Mehmet Hetemaj për Honka-n e Finlandës.
“Urime pavarësinë Kosovë”, ka shkruar në profilin e tij në rrjetet sociale, Twitter dhe facebook, Xherdan Shaqiri, duke postuar foton e tij legjendare pas finales së Champions League vitit të kaluar kur shpalosi flamurin e Kosovës të lidhur me atë të Zvicrës. Përparim Hetemaj ka uruar nëpërmjet Facebookut. “Urime dita e pavarësisë, Kosova jonë e dashur!”, ka shkruar ai edhe në gjuhën finlandeze dhe angleze. Vëllai i tij, Mehmeti ka përkujtuar komandantin legjendar, Adem Jashari. “Urime dita e pavarësisë së Kosovës. Rroftë gjithë shqiptaria, rroftë Adem Jashari”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, Mehmet Hetemaj.