Qyteti i Gjilanit shquhet si qytet i sportit dhe i sportdashësve, mirëpo fatkeqësisht qeverisjet tona nuk po e kanë përkushtimin e nevojshëm për këtë fushë. Sportin jo vetëm që nuk e përkrahin sa duhet financiarisht, por nuk gjejnë kohë ta përkrahin as me pjesëmarrje në ndeshjet e rëndësishme siç ishte ajo mbrëmë.
Kështu shprehet, Festa Shabani anëtare e pavarur e Kuvendit Komunal të Gjilanit, sipas të cilës ishim dëshmitarë të finales së volejbollit në kategorinë e vajzave, në mes të KV Drita dhe KV Skenderaj, ku gjilanaset tona u shpallën kampione të Kosovës për herë të tretë radhazi.
“Ndeshja zhvillohej në Gjilan. Asnjë përfaqësues i ekzekutivit komunal nuk ishte prezent. Kryetari jo që jo, por as përgjegjësi nga njësia për kulturë, rini e sport. Kurse, volejbollistet nga Skenderaj përkraheshin nga nënkryetari i komunës së tyre, Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ish kryetari i Komunës Sami Lushtaku dhe familjarë të tyre. Me gjasë pushtetarët tanë komunal ishin të zënë me formim të koalicionit, sepse shkoi gati gjysmë viti pa kabinet qeverisës, pa drejtorë të emëruar”, thotë Shabani.
Ajo i ka uruar vashat KV Dritës, trajnerin Lorik Ilazi dhe zëvendëstrjanerin Valon Zymberi që pavarësisht sfidave po e mbajnë gjallë klubin. P oashtu ajo ka uruar edhe tifozët “Intelektualët” që ngjallën emocione dhe motivuan lojtaret pandërprerë deri në fitore.