Ibishi: Nxënësve t’u mundësohet transporti për në shkollë

Ibishi: Nxënësve t’u mundësohet transporti për në shkollë

Ibish Ibishi, anëtar i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se ndihet i shqetësuar sa i përket çështjes së transportit të nxënësve, që për shkak të skadimit të kontratës për transportimin e nxënësve, është ndërpre, e që si pasojë tani më nxënësit e lagjes Muhaxherët e Dobërçanit, e kanë të vështirë të vijojnë mësimet.

Ibishi tha se distanca prej ku duhet të udhëtojnë këta nxënës deri në shkollën ku vijojnë mësimet (Dobërçan) është më e largët se katër km. dhe duke e ditur edhe rrezikun me të cilin ata përballen çdo ditë në komunikacion, për arsye se ata duhet rrugëtuar përgjatë rrugës kryesore në të cilën qarkullimi i automjeteve është mjaftë i madh dhe për t’iu shmangur ndonjë fatkeqësie të mundshme këta nxënës tani janë detyruar, nëse nuk gjejnë alternativa tjera, edhe të ndërpresin procesin mësimor.

“Kjo ishte arsyeja pse dje në seancën e kuvendit komunal e ngrita si çështje si dhe kërkova të shikohen mundësitë që kjo çështje të zgjidhet urgjent në mënyrë që edhe këtyre 40 nxënësve t’u mundësohet të vijojnë mësimet deri në fund të vitit shkollor. Përkundër se unë ngrita si çështje në seance për këtë çështje askush nga organet ekzekutive nuk u përgjigj përpos kryesueses së kuvendit e cila mungesën e drejtorit të Arsimit e arsyetoi me shkuarjen e saj në Prishtinë”, ka thënë Ibishi.

ai u ka bërë thirrje publike përgjegjësve që këtë çështje ta trajtojnë me urgjencë dhe të gjendet zgjidhje.

“Personalisht mendoj se kontrata për transport të nxënësve qysh në fillim ishte e mangët sepse kjo kontratë është parapa të përfundoj dy muaj para se të përfundojë viti shkollor, kontrata si e tille mendoj se është e gabueshme sepse ka lënë pasoja pas vete. Prandaj në të ardhmen sugjeroj që nënshkrimi i kontratës për transport të nxënësve të parashihet dhe të bëhet paralel me fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor”, ka thënë Ibishi i AAK-së.

KOMENTE