Shkruan: Arben Dubova, auditor i certifikuar
Sfidat e zbatimit të Ligjit nr. nr. 05/L-90 & 06/L-116 për Sponsorizimin në fushën e kulturës dhe sportit!
Ligji mbi sponsorizimin kështu siç është ka probleme serioze dhe si i tillë vështirë po gjen zbatim, andaj fare pak klube sportive po munden të përfitojnë nga ky ligj.
Sfida kryesore e zbatimit të këtij ligji konsiston në faktin se me miratimin e këtij ligji nuk janë ndryshuar ligjet tjera që prekin fushën e tatimeve që kryesisht janë ligji mbi tatimin në të ardhurat e korporatave dhe ligji për administratën tatimore!
Sipas ligjit mbi sponsorizimin bizneseve iu lejohet një pagesë direkte nga obligimi tatimor për tatimin në fitim në shkallën prej 30% dhe administrata tatimore e Kosovës këtë mundësi e ka krijuar edhe praktikisht duke e futur në deklaratën vjetore të deklarimit CD kutinë e zbritjeve në fushën e sponzorizimit dhe deri këtu jemi krejt në rregull.
Mirëpo, duke pasur parasysh se pagesat që eventualisht biznesi i bën ndonjë klubi sportiv apo ndonjë organizate tjetër me qëllim të zbatimit të ligjit për sponsorizime, nuk i njihen si pagesa të bëra në emër të kësteve tremujore për atë periudhë tatimore, por ato pagesa do ti njihen biznesit si paradhënie (kredi) për periudhën e ardhshme tatimore (vitin pasues), kjo i vije në vështirësi bizneset sepse ato duhet të paguajnë edhe obligimin tatimor edhe pagesat për sponsorizime e tek pastaj në vitin tjetër ato mund t’i shfrytëzojnë ato pagesa (kredi) në këstet e radhës e cila duhet të bëhet me kërkesë për transfer debi-kredi.
Zgjidhja e këtij problemi do të ishte sikur bizneseve t’iu njihej automatikisht çfarëdo pagese të bërë brenda vitit për sponsorizime si pagesë e këstit tatimor pa pasur nevojë që të bëjë kërkesë vitin tjetër për transfere kreditore!
Kjo mund të rregullohet fare lehtë me një udhëzim administrativ apo vendim spjegues publik nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe në këtë mënyrë do të rriteshin dukshëm shumat e sponzorizimit nga bizneset për klubet sportive, organizatat kulturore, ato të rinisë dhe grupet tjera të interesit që preken nga ligji për sponsorizime!
P.S. Ky shkrim erdhi si nxitje pas një takimi që e paskan pasur sot grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për sponszorizime nga Kuvendi i Kosovës me drejtuesit e ATK-së!
Shpresojmë që këto sfida të adresohen dhe ti hapet rrugë zbatimit në praktikë të këtij ligji si mundësi e mirë për sportin, kulturën dhe rininë! /2LONLINE/