Prend BUZHALA
(Ramadan Mehmeti: “Plagë shpirti”, proza poetike, edituar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”)
Tashmë lexuesi, i mësuar ta lexojë letërsinë e Ramadan Mehmetit, mund të pohojë lirisht se zhanri i prozës poetike është më i parapëlqyeri i këtij autori. Meqë në dhjetëra libra letrarë të botuar (poezi, tregime, letërsi për fëmijë), mbizotërojnë titujt e librave të prozës poetike, mund të thuhet që edhe cilësitë artistike më të arrira i ka te ky zhanër.
1. Madhështia e Fjalës: hovet psiko-refleksive të përjetimit dramatik.
Kudo, nëpër gjithë vëllimin “Plagë shpirti”, lexojmë impulse të brendshme të përjetimit dramatik të situatave emocionale të dashurisë, të qenies njerëzore, që shpesh gjendet në katandisje emocionale a ekzistenciale; por shpëtimi gjendet te kjo ndjesi supreme njerëzore, te dashuria. Autori, a folësi lirik, i gjendur mes situatash të tilla të përjetimit dramatik, nga njëra anë, dhe ekzaltim-shpëtimit të kësaj ndjesie, nga ana tjetër, thur varg e varg rrezatimet e brendshme të reflektim-përjetimeve a të psiko-kundrimeve. Ja një pasazh i tillë antitetik:
“Të dy jemi koshientë që fajtori i plagëve tona, Satana i helmit që mbush gropën padukshëm, të mos shihet pse ne ecim tutje-tutje, por ai do të fundoset.”
(…)
“Sa bukur kjo freski e kaltër e paanësisë së qiellit të dashurisë, si na ka mbështjellë!”
(proza poetike “FRESKI BLU PA FUND”).
Në fakt, thurjet e tilla sikur ndjekin shkalloren e një kadence me ngritje-zbritjet e veta dhe i japin sharm kompozicional tekstit të tillë lirik-poetik: loja e imagjinatës krijuese, ndërkëmbehet me lojën ligjërimore të krijimit artistik; përsëritjet e këtyre ndjesive kanë ritmet e veta të hoveve emocionale, me jehona thëniesh, që na vijnë të veshura ndryshe e ndryshe nga proza në prozë, mu si Madhështia e Fjalës (“Fjala, kjo madhështi që njeriun e mban gjallë…”, thotë folësi i kësaj proze poetike).
Duke e përforcuar elementin poetik-lirik dhe refleksiv, autori maksimalisht e zbut elementin narrativ. Ato nuk janë situata dosido, ato janë shpesh situata të një melankolie të kontrolluar, racionale, që e shkërmoq qenien e personazhit lirik; janë hapësirë ku thuret lirizmi eterik në të cilën autori gjakon absoluten (dashurinë e shpallur Hyjni shpëtimtare) dhe, nga ana tjetër, e gjakon edhe të pashprehshmen, të pathënën, me të cilat arrin të depërtojë në përmasat e përjetimit të tillë.
Kjo hapësirë e tillë rrethohet nga mëkati, nga e liga, nga lakadredhat e ekzistimit nëpër ngushtica jete, kund e kund paraqitet ndonjë fytyrë satane, por shpëtimi përsëri gjendet diku përtej, nëpërmes shtegut të dashurisë. Dhe, gjithsesi, nëpërmes shtegut të krijimit letrar! Nëpër plagë e zjarr!
“Lutem, o zjarr, më hidh në skaj bote e më sill prapë këtu, më bëj humbëtirë të pashoqe brenda tët qenieje, vetëm të mos shpëtoj jashtë teje!”
(…)
“Ti je shkak dhe shpëtim.”
(…)
“Këto plagë të shpirtit janë shpëtimi i besimit në jetë dhe kaq shumë i desha dhe do i dua gjithherë!”
(…)
“Nuk keni shpëtim, gjëmë mallkimesh! Dhe dijeni mirë se asnjë tiran, as shërbëtor i mjerimit të paparë të tyre, kurrë nuk triumfoi mbi virgjërinë e emrit dhe të jetës së dashurisë.”
Kësisoj, kjo hapësirë përjetimi, e shpërndarë nëpër të pesë ciklet e librit (“THONJTË E DHEMBJES”, “THELLËSI E GJAKOSUR”, “JO BAST” dhe “PLAGË SHPIRTI”).
2. Folës të shumëfishtë të tekstit poetik.
Duke thurur një frymë të përbashkët tematike, një strukturë reflektimi e përjetimi, nuk bëjmë gabim po qe se themi që librin po e lexojmë si një roman të shkurtër poetik! Protagonistët e tij janë tre veta: herë një folës poetik, që përjeton, kundron e shpreh gjithçka për veten e rreth vetes, herë vetë autori në rolin paraqitës (ideogarfik), dhe gjithherë një femër, së cilës i drejtohet Uni narrativ-lirik i tekstit poetik. Madje, në jo pak raste, ligjëron drejtpërdrejt dhe ky zë femre.
Rrëfim-përjetimet kapërcejnë nëpër zjarrin e gjendjeve të ngritura shpirtërore, nëpër mbresat e ndjesitë e fuqishme, që vijnë pas një ngjarjeje a rrethane jetësore, kurse këta folës poetikë marrin pjesë e shkrihen tërësisht në këto përjetim-ngjarje. Ngjarjet nuk janë të përmasave epike, por janë të hapësirave emocionale, që karakterizohen me solilokët (tipa monologësh) të pafund poetikë. Çastet shkëputen dhe shndërrohen në referenca të rëndësishme jetësore, meditative dhe emocionale, shndërrohen në përjetime të paharrueshme që kanë lënë gjurmët e tyre:
“Pikturat e gjurmëve të vuajtjes sonë shumëzohen në miliona kopje dhe nuk futen dot më në asnjë gram heshtjeje e durimi. “
(…)
“Nuk është shitur kurrë jeta e bujshme me ëndërr, si shtazë stalle. As ndjenja që nxjerr flakë. As mendimi që kundërmon bukuri shpirti. As gjurma e pavenitur për asnjë moment. Jeta gjithmonë ka perëndi secilin, por secili dhe i jep asaj një pikë të çmuar nga ngjyra e tij.”
“Ngjarja” e tillë e përjetimeve të brendshme, “rrëfehet” në trajta të shumta kohe, që nuk matet me kalendarin e zakonshëm, por me atë të përmasës së përjetimit:
“Si do të kalojnë sfidat e bastit të pastërtisë së shpirtit, kur minutat janë kohë e gjatë dhe qenia ka epërsi tepër të lartë, duke mos pranuar asgjë veç realizimit të qëllimit?”
A të një kohe reminishencash të brendshme si jehonë kadencash që përsëritet:
“Dashuria është ky diamant: një lot prapa hekurave. Ose një lot i nxjerrë nga prangat e kohëve të vdekura.”
Ose një kohë-krijim qeniesh:
“Por, qoftë edhe të mos ndryshojnë konditat e kohës, edhe të mos ndryshojnë pengesat, nga të cilat nuk krijohet dot buzëqeshja, prapë fjala krijon qenien e saj dhe ndjenja krijon fuqinë depërtuese.”
Ose një kohë me gjurmën dramatike të përdhosjeve:
“Nuk di si u bë që pesha e arit të syve të flaktë nuk shihet, ndërsa katrani i errësirës, që reflekton kohë të shkelur, çmohet, sikur ai të jetë portal i perëndive.”
E pra, sinkronikja e diakronikja e kësaj kohe poetike, nisen nga një diskurs paralel, ku e kaluara dyndet në të sotmen si reminishencë, si situatë e papritur aksidentale, si një hap i shkurtër drejt së ardhmes… si një gjithëkohësi që matet vetëm me ndjesinë e dashurisë. Kurse një e tashme vlon nga mëkatet dhe nga ligësia.
3. Semantika e plagës
Te vetë titulli i librit, si dhe të një varg prozash poetike, shënjohet fjala plagë: plagë shpirti. Le ta kuptojmë këtë plagë si këndim të zisë personale; se aty ku nuk ka plagë, nuk ka ndjenja, nuk ka botë emocionale, kurse Çarlas Bukovski do të thoshte se mungesa e tillë e katandis kënaqësinë tonë në tregtinë me djallin. Shkrimin e prozës së tillë, mbi plagën, le ta kuptojmë si çlirim nga dhimbja, si spastrim a katarzë poetike me mëkatin e pabërë, për të mos e ndier dhimbjen.
Autori pikësynon që atë ta fisnikërojë sa më shumë me thellësi kuptimesh, gjithnjë në përqasje me dashurinë, me dhurimin e dashurisë, si hyjni shpëtimtare e qenies njerëzore dhe e si mbushullim i botës shpirtërore:
Jo, nuk ka dorë monstruoze që të krehë flokët më të bukur të ëndrrave. Pastaj, kush guxon të shkelë lulegjakun e dashurisë? Si mund ta shkulë dikush luleshafranin e plagëve të shpirtit?
(…)
Ky terr, terr dhe kjo veç pabesi… nuk jua forcon dot verbërinë e krimbur, për të na shembur zemrën e plagëve hyjnore të dashurisë.
(…)
Gjithë plagët e mia i kam larë me pamjet e erandshme të valëvitjes së të lashtave që tashmë kanë mbirë nëpër pllaja të gjera. Janë pamje që dehin dhe perënditë.
Impulset e tilla poetike-refleksive, u ngjajnë atyre të jetës: ato lëvizin lart-poshtë, në një lëvizje të pafund hare-plagë, lumturi-dhimbje, mu siç lëvizin grimcat e materies në linjat e thyera … deri në pafundësi… në një spektër të gjerë ylberor thyerjesh, lëvizjesh e ngritje – rëniesh.
Vetë jeta është një rrjedhë e pandërprerë, në të cilën asnjë çast nuk është i njëjtë. E kotë është përpjekja e njeriut që ta ndalojë ndonjë çast të tillë (lumturie) pafundësisht, apo ta ndryshojë atë çast (plage), sepse përpjekja e tillë vetvetiu është iluzion. Së këndejmi, jeta pranohet ashtu siç është, e tillë, me aventurat e saj, dhe ftesa e kësaj aventure na sugjeron që të jetojmë në harmoni me vetveten e në harmoni me botën tonë të brendshme, kurse nga sfidat e vështirësive e të pengesave, nga ballafaqimi sfidues me vuajtjet dhe me plagët e jetës, këto impulse na dhurojnë nxitje të mësojmë më shumë diçka të panjohur e të paprovuar për ta bërë një hap më tutje, një depërtim më të thellë në ngritjen e në pjekurinë e botës sonë të brendshme.
Në sfidimet e tilla ndihemi fitimtarë dhe viktima. Secili prej nesh (fitimtar a viktimë) kapërcen nëpër impulset e dhimbjes, dyshimit, dallimeve, krizave, sprovimeve, e sidomos të ndryshimeve të vazhdueshme. Kësisoj, na zgjojnë asociacione të tilla dhe tri proza poetike që na e sugjerojnë një shtegtim të tillë semantik: “Plagët lava me sytë e tu”, “Plagë si asnjë tjetër” dhe “Sytë e plagëve të shpirtit”:
Jo, nuk ia dorëzoj as plagët e shpirtit tim atij dhe të kënaqet së mbylluri me afarizëm pozitiv ditën.
(…)
Dua të mbajmë gjallë e ngrohtë folenë e plagëve të shpirtit tonë.
Plagë si palma, si dru halorë gjethembajtës. Plagë, si asnjë dallgë tjetër pikëllimi.
Plagë, si pallatet më të bukura me kopshte, rrugica simetrish të pashoqe e figurash ekzaltuese blerimesh brenda një flake shpirti.
(…)
Sytë e plagëve të shpirtit, sytë e dashurisë janë parqe plot lule të qytetit të një mesdite vape flakë e tërbim.
E pra, folësi poetik i këtyre prozave dallon nga një folës fatalist, pikërisht pse përpiqet të jetojë në harmoni me vetveten, me plagën e tij të fisnikëruar, për të dalë nga situata e tillë më i pasur, më i hapur ndaj horizonteve të panjohura e të reja, për të mos i mbyllur sytë si viktimë para mundësive të shumta që t’i dhuron jeta.
Ky narrator meditativ, prandaj, niset nga ballafaqimet me vetveten, me botën e brendshme, me trishtimet e veta dhe vetëm qenia e tillë di të vërë në lëvizje çështje thelbësore të ekzistencës dhe të nxisë e të frymëzojë në kërkimet e përgjigjeve për to. Ky subjekt ligjërimor hap plagën e tij, e lë të rrjedhë, pikërisht pse ai qëndron brenda saj e nuk i ikën, pikërisht pse ai nuk i largohet thelbit të vuajtjes dhe sfidës së dhimbjes. Muzikanti, poeti, solisti, romancieri dhe piktori kanadez Leonard Cohen, do të na kumtonte:
“Fëmijët na i tregojnë plagët si medalje. Të dashuruarit i përdorin ato si sekrete për zbulime. Shenja e plagës është ajo që po ndodh, kur fjala është bërë mish” (asociacion biblik i Fjalës si fillesë, e shndërruar në qenie njerëzore).
Kurse poeti plagën na e rrëfen si emblemë të jetës që i do ripërtëritjet e saj:
Nuk kam shitur asnjë pyetje, prandaj dhe nuk kam blerë asnjë përgjigje. As kam kujtuar se përfytyrimi i realitetit mund të nxjerrë jashtë kontekstit të botës së sotme gjakun që del nga fjala, duke të puthur me mish e shpirt ty.
Fjalë që është jetë, puthje që është gjuhë, dhembje që është vend.
4. Përfundime
Si rëndom, proza e tillë jepet pas thurjeve eliptike dhe sintetizuese zhanrore: ndërthurjes së lirikës dhe vargut prozaik, linjave eliptike e deri te fragmentizimi i lëndës letrare, si prirje krijuese. Ka, në të, një mistikë e një imagjinatë metaforike, e shtjelluar me një diskurs ambiguitiv… kurse poezia e proza nuk i kundërvihen njëra-tjetrës, por ato bashkëjetojnë, ndërveprojnë harmonishëm. Dhe këtë bashkësi zhanrore autori e dëshmon nga vepra në vepër.
Janar 2017