DYLON

Arti kundruall absurdit

Arti kundruall absurdit
Avatar photo Redaksia

BOTIM I RI

Me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, SHB “Dritapress” e Prishtinës, ditë më parë botoi veprën e autorit Mehmetali Rexhepi me titull: “URTIANA”, poezi, 2023.

EkoHigjiena

Ramadan Mehmeti

ARTI KUNDRUALL ABSURDIT

Poeti Mehmetali Rexhepi, tashmë i sprovuar në fushën e prozës, në kritikë e studime letrare-eseistike-estetike e publicistike, vijon kultivimin e poezisë me pjekuri të dukshme, edhe në vëllimin më të ri poetik “URTIANA.”

Motivet, idetë, reflektimet figurative, estetika e kësaj poezie shtrijnë gjymtyrët dhe rrokin përmasa të së madhërishmes dhe të  bukurës; me gërshetime ngërthesash të rëndomta e të ndërlikuara të jetës, që ndërvaren, puqen, kushtëzohen ndërsjellash, pleksin madhështinë, tragjiken, ironinë, absurdin e pashëruar njerëzor, filozofinë e shkëlqimit jetë-shkurtë në jetën njerëzore.

Poeti në tetë ciklet e këtij vëllimi poetik, me depërtime ideore e figurative, shtjellon e shtron mëtimet njerëzore për kërkime dhe hulumtime në globin tonë dhe në univers…  Njëkohësisht vë në pah shfrenimin dhe shkallmimin e ambicies së njeriut, për mbizotërime të racës mbi racën; duke shkrirë intelektin për nënshtrimin e racës, po në emër të epërsisë të një race të shpifur?!

Autori i këtij vëllimi poezish, Mehmetali Rexhepi qëmton dhe thurë poezi të  kontrasteve, të antonimikeve ironike, grackash e dhimbjesh, mallëngjimesh për përdhosjen e dhuntive, që i sjell realiteti jetësor e kozmik, si dhunti të jetës, të shkëlqimeve dhe të errësimit të saj. Me një fjalë: brenga e poetit bëhet lajtmotiv i ekzistencës për shpëtimin e bukurisë.

Të gjitha këto qëmtime ideore e ekzistenciale, përmes sprovave të poetit, kondensohen nga pena hulumtuese, për të nxjerrë në pah tipare të reja ideore e figurative në poezi. Poeti ndërthurë etikë dhe estetikë të atillë, e cila mëton të mos mbeten veçse një rutinë subjektive  e autorit. Të gjitha sprovat e përjetimet, pleksen në një filozofi poetike prore në lëvizje por, me peshën e përsëritur të absurdit!… Përmes modeleve ideore e figurative të ngërthyera në këtë poezi, poeti Rexhepi kërkon korrigjimin e pashmangshëm të kaheve të absurdit, për ngadhënjimin e homo sapiens-it. Këso konstatime të këtij diskursi i hasim të reflektuara në tërë hapësirën e vëllimit “URTIANA.” Por, për ta konkretizuar pohimin, le t`i nënvizojmë vetëm ca nga shembujt ilustrues të poezive, si: “Fjalët miope dhe mrekullia”, “Metafora e detit” në ciklin e parë; “Lura”, “Ku ngrijnë viruset” në ciklin e dytë; “Ibershimet e prillit” dhe ”Boshti” në ciklin e katërt; “Mendje miope” e “Shkrolat nëpër gjemba” (poemë) në ciklin e gjashtë;  “Sipëria e një trinie” në ciklin e shtatë;  “ Ura për kapërcimin e natës” në ciklin e tetë dhe të tjera.

Arti i poezisë i poetit Mehmetali Rexhepi në vëllimin “URTIANA”, i shërben kërkimit fisnik për zbutjen e egërsisë së çnjerëzores dhe, kultivimin e bukurisë së mendimit në resurset njerëzore.

A duket diçka e tillë nën shtresën e hollë të ozonit? Këtu nuk pushojnë përsiatjet dhe  brengat e urtisë poetike të librit “URTIANA.”

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.