Organizuar nga Caritasi Zviceran në bashkëpunim me komunën e Vitisë, sot në Viti u mbajt një sesion informues lidhur me grantet që do të shpërndahen fermerëve të kësaj komune me qëllim të mbështetjes dhe promovimit të prodhimtarisë bujqësore në komunën e Vitisë por edhe me qëllim të zbatimit të projektit “Prosperiteti i prodhimtarisë agrare në Kosovë nga investimet e qëndrueshme rurale – PASURI” që synon përmirësimin e kushteve jetësore të fermerëve, rritjen e gjenerimit të hyrave dhe prodhimin bujqësor në këtë komunë.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka mbajtur një fjalë rasti për fermerët vitias.
“Vitin 2020 e kemi filluar mbarë me disa projekte në fushën e bujqësisë. Komuna e Vitisë, konkretisht Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Grupi i Veprimit Lokal “Vitia” në bashkëpunim me partnerët tanë po bashkëpunojnë ngushtë në zhvillimin e të gjitha sektorëve bujqësor në këtë komunë”, u shpreh Haliti.
Ai ju bëri thirrje fermerëve vitias që të vazhdojnë të punojnë me nder dhe të shfrytëzojnë potencialet e tyre me qëllim të zhvillimit të vendit. Ndërkaq Nderim Pasuli nga Caritasi Zvicran, potencoi se 90% e përkrahjes së fermerëve vitias në kuadër të projektit të përbashkët me Komunën gjatë këtij viti do të bëhet në sektorin e Bimëve Mjekësore Aromatike dhe frutave manore si: dredhëz, boronicë dhe mjedra dhe shtoi se nga nesër do të hapët aplikimi për këto grante dhe bëri me dije se gjithçka do të jetë publike.
Kurse Arlinda Sahiti, Drejtoresh për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, në Viti tha se implementimi i këtij projekti synon përmirësimin e kushteve jetësore të fermerëve, rritjen e gjenerimit të hyrave dhe prodhimin bujqësor.
Ajo potencoi se kjo gjë u bë e mundur pas analizimit të kërkesave të tregut dhe pas analizave të hollësishme nga Caritasi Zviceran. Gjithashtu gjatë këtij takimi fermerët vitias kanë parashtruar pyetje rreth implementimit të këtij projekti në komunën e Vitisë.