Ardhmërie Jakupi Musliu: Arsimi në Gjilan pa asnjë përparim

Ardhmërie Jakupi Musliu: Arsimi në Gjilan pa asnjë përparim

Ardhmërie Jakupi – Musliu, kryesuese e nënkomitetit për arsim në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan ka thënë se arsimi në komunën e Gjilanit, edhe në vitin që e lamë pas nuk ka shënuar asnjë përparim. Duke filluar nga parashkollorët, margjinalizimi i fëmijëve me nevoja të veçanta dhe fëmijëve me talente specifike, e deri në shkollat e mesme që vetëm sa po bien për nga cilësia, thotë ajo, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Jakupi- Musliu tha e investimet në arsim në komunën e Gjilanit janë shumë të vogla, kjo mungese e investimit ndikon dukshëm në mungesën e progresit dhe përmirësimit të cilësisë dhe lehtësimit të procesit edukativo-arsimor.

“Sot ne vitin 2020, kur në botë, në fushën e arsimit po përdoret teknologji e avancuar, në Gjilan punojnë vetëm me një shkumës dhe dërrasë të zezë. Pasojat që vijnë si rezultat i mungesës së investimeve dhe organizimit të dobët në fushën e arsimit do t’i kushtojnë shumë gjeneratës së re të Gjilanit e për këtë neglizhencë sigurisht që një pjesë të mirë të përgjegjësisë i bie udhëheqjes komunale të Gjilanit, e cila përveç defekteve në investime është përgjegjëse direkët për politikën kadrovike, ku në vend të fokusimit në kuadro cilësore angazhon me, e pa konkurs por pothuajse përherë kuadro partiake ose familjar të udhëheqësve e militantëve partiak”, ka thënë ajo, transmeton 2LONLINE.

Kryesuesja e nënkomitetit për arsim në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje thotë tutje se si rezultat i politikave të gabuara të udhëheqjes komunale dhe DKA-së, mungon institucioni i përgjegjësisë, mungon raportimi dhe llogaridhënia, mungon komunikimi me publikun dhe madje edhe me prindërit.

Ajo thotë se të gjitha këto të meta rezultojnë jo vetëm me suksese të dobët në shkollat tona por edhe me rritjen e dukurive negative si: konsumimi i duhanit, alkoolit, lendeve narkotike etj.

Për shkak të mungesës së disiplinës vazhdimisht po rritet numri i mungesave si të nxënësve po ashtu edhe të arsimtarëve,

“Problem në vete është mungesa e kushteve për pastërti elementare në shkollat tona. Shpeshherë ne mësuesit biem në kundërshtim me mesazhet që ua japim nxënësve tanë. Si t’i mësojmë për rëndësinë e higjienës, kur në shkollat tona higjiena është aq shqetësuese e banjat janë aq kundërmuese, saqë nxënësit shpesh nuk posedojnë as ujë në toalete e lëre më sapunin që është dezinfektues dhe parandalon viruset e ndryshme që shpesh sillen nëpër shkolla”, thotë Ardhmërie Jakupi – Musliu .

Sipas saj, në qytetin e Gjilanit kushtet e mësimit për nxënësit janë aq të mjerueshme saqë ka nxënës që për pesë orë të plota nuk kanë mundësi të dalin nga klasa, e te dalin në oborr të shkollës as nuk vije ne konsiderim. Kjo mbyllje e nxënësve neper ajrin e ngulfatur të klasës ku mbi 30 nxënës frymojnë e mësojnë çdo ditë, është thyerje e të drejtave të fëmijëve dhe konsiderohet dhunë psikologjike.

Pastaj mësimi nëpër bodrume ku nuk ka drite, mungon qarkullimi freskët i ajrit, papastërtia dhe lagështia janë në nivelin më të lartë të mundshëm, vetëm se shtojnë brengen dhe frikën për shëndetin e nxënësve dhe mësimdhënësve tanë.

“Gjendja në arsim duhet patjetër të ndryshoj përndryshe për kushtet e mjera në arsimin Gjilan adresa dihet, përgjegjësit duhet të ndërmarrin urgjentisht masa të domosdoshme për përmirësimin e kësaj gjendje të rënd në arsim”, përfundon reagimin e saj për segmentin e arsimit në Gjilan, Ardhmërie Jakupi – Musliu, kryesuese e nënkomitetit për arsim në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje .

KOMENTE