Edhe përkundër marrjes dhe pranimit të fondeve të numërta me miliona euro nga Brukseli zyrtar dhe nga Bashkimi Evropian, Serbia asnjëherë nuk ka ndarë asnjë dinarë për komunën e Preshevës, për të sanuar së paku ndonjë gropë e cila është shkaktuar nga pesha e rëndë e autobusëve që vijnë nga gjithë Serbia.
Kështu deklaroi për portalin informativ Tituilli.com, kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa.
Ai thekson se Presheva ka fatkeqësisht pasoja të kalimit të refugjatëve në territorin e komunës së saj, por këto pasoja nuk i shkaktojnë refugjatët, por një numër i madh i autobusëve të cilët janë të renditur dhe të stacionuar e parkuar në gjithë rrugët e rrethinës së qytetit të Preshevës.
Mustafa thotë se këta autobusë me peshën e rëndë të tyre janë duke dëmtuar në masë të konsiderueshme rrugët lokale që, siç shprehet ai, me shumë mund i kanë ndërtuar në këto 10-15 vitet e fundit.
“Qeveria serbe edhe përkundër asaj që kishte miratuar në gushtin e vitit të kaluar 65 milionë dinarë për t’i ndihmuar komunat për sanimin e pasojave të refugjatëve, asnjë dinarë të bardhë nuk ka nisur në adresë të komunës së Preshevës”, thotë Mustafa, duke shtuar se në qershorin e vitit të kaluar komuna e Kanjizhës në Vojvodinë nga qeveria e Vojvodinës ishte ndihmuar me 15 milionë dinarë.
Sipas fjalëve të tij, në Preshevë gjendet stacioni më i madh i autobusëve në botë, sepse nuk mban mend askush në ndonjë vend të botës të ketë 500 autobusë në pritje të udhëtarëve.
VIDEO
Titulli.com