Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) duket se është dorëzuar kur është në pyetje zhvillimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës. E përditshmja beogradase “Politika”, raporton se FFS nuk do të jetë kundër që Kosova të luajë miqësore ndërkombëtare, por me kusht që të luajë pa simbole shtetërore.
Sipas kësaj gazete, ky është qëndrimi i FFS-së, të cilin kryetari i kësaj federate, Tomislav Karadzic, do ta prezantojë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që do të mbahet më 4 e 5 dhjetor në Brazil. Sipas burimeve të gazetës “Politika”, një qëndrim i tillë është rezultat edhe i konsultimeve të FFS-së me Qeverinë e Serbisë, transmeton RTK.
Vokrri: Vendimi për miqësoret merret në fillim të janarit
Ndërkohë, shtëpia e futbollit botëror, dje, e ka shtyrë takimin e paraparë trepalësh ndërmjet FFK-së, FFS-së dhe FIFA-s, që ishte planifikuar të mbahej sot në Cyrih. Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë se nuk i di arsyet e shtyerjes së këtij takimi, por ka bërë të ditur se vendimi për çështjen e miqësoreve të Kosovës pritet të merret në fillim të janarit. “Arsyet e shtyrjes nuk i dimë, pasi FIFA nuk i ka bërë të ditura në shkresën që na e ka dërguar. Megjithatë, në bazë të informatave që kam nga burimet në FIFA, çështja e miqësoreve do të vendoset para ceremonisë së ‘Topit të Artë’, me gjasë më 10 janar kur pritet të mbajë takim një Komision i veçantë i FIFA-s, me pjesëmarrje të presidentit Sep Blatter”, ka theksuar Vokrri. Ai nuk ka mundur të konfirmojë nëse KE i FIFA-së do të diskutojë për futbollin kosovar edhe më 4 e 5 dhjetor siç ishte paraparë më herët, por është optimist se përfundimisht në fillim të janarit do t’i jepet drita e gjelbër Kosovës për të luajtur miqësore.