Me ftesë të senatorit francez Jean-Marie BOCKEL, në Paris po qëndron Agim Zuzaku, këshilltar për Investime të Huaja i kryetarit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga shefi i ambasadorit së Kosovës në Francë, Valdet Sheremeti dhe afaristi nga Kosova i cili jeton në Francë, dhe një kontribues i takimit me senator, Harush Azemi.
Zuzaku në emër të Kryetarit Haziri, fillimisht falënderoi Senatorin Bockel për ftesën dhe kontributin e tij për ngritjen e imazhit të Kosovës në Francë dhe për inkurajimin e afaristëve francez dhe partnerëve nga vendet e Gjirit Persik për të shqyrtuar mundësinë e investimeve në Kosovë, e në veçanti në Komunën e Gjilanit.
Zuzaku ka prezantuar arsyet pse Kosova është atraktive për investime të huaja, duke konkluaduar që Kosova, si njëri nga shtetet më të reja në botë, ka një popullsi të re dhe mirë të edukuar, fuqi punëtore të lire, me taksat më të ulta në regjion krahasuar me shtete fqinje dhe qasje të lehtë në tregjet evropiane.
Senatori Jean-Marie BOCKEL, u zotua që ta ndihmojë Komunën e Gjilanit, duke kërkuar komuna të mundshme në regjionin e Alsacit, të cilat mund të vëllezërohen me Komunen e Gjilanit dhe ta ndihmojnë në fushën e shëndetësisë, kulturës, sportit dhe zhvillimit ekonomik.
Zuzaku kishte takime edhe me Senatoren Marta De Cidrac, e cila njëherit është edhe Presidente e grupit të miqësisë Francë – Kosovë, sikurse edhe me senatoren Sylvie Goy-Chavent, njëherësh anëtare e delegacionit francez në Asamblenë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE.)
Ndërsa, takimi i fundit ishte me Senatorin Claude Kern, anëtar i plotë i delegacionit francez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe anëtarë të disa komiteteve të tjera.
“Të gjithë senatorët së bashku u zotuan që do ta ndihmojnë Kosovën në ngritjen e imazhit dhe forma të tjera. Gjithashtu, nje grup i biznesmenëve së bashku me disa senatorë do ta vizitojnë Kosovën, ku pikë synimi do të jetë Gjilani”, ka thënë Zuzaku.
Ndërkohë, gjatë ditës, ai u takua edhe me Amir Hassoun, një afarist nga Libani, pronar i fshatit ekologjik, fshat i cili ka rreth 45000 metra katrorë dhe ku gjithçka është ekologjike.
“Fshati është i rrethuar dhe nuk lejohet të qarkullojnë veturat. Të gjitha prodhimet bujqësore në këtë fshat janë organike. Gjithashtu, produktet kozmetike të cilat prodhohen nga bimët organike, janë prezente në tërë Europen. Z. Hassoun së shpejti do ta vizitojë Gjilanin dhe do të shohë mundësinë e zgjerimit të brendit të tij edhe në Ballkan”, ka njoftuar këshilltari i kryetarit Haziri për Investime të Huaja, Agim Zuzaku.