Shëndeti Mendor është gjendje relative më tepër se sa apsolute, treguesit më të mire të shëndetit mendor janë;
Shkruan: Dr. Afrim CANA
Suksesi i njëkohshëm në mësim, punë, dashuri, krijimtari…, si dhe kapaciteti adekuat për zgjidhjen sa më të pjekur dhe fleksibile të konflikteve në sferën e pavetëdijshme dhe të vetëdijshme në raport me njerëzit dhe realitetin.
Stigma te të sëmuret mendor:
Kualiteti i shërimit të të sëmurëve mendor dukshëm ka ndryshuar në kuptim të avansimit me aplikimin e metodave të shumta psiko-sociale rehabilituese, por edhe në zbulimin e medikamenteve, neuroleptikëve gjithnjë e më efikas në trajtimin e këtyre sëmundjeve.
Bazuar në principet e etikës, psikiatrat janë të obliguar, që të ofrojnë shërimin më të mire të mundshëm, i cili është në dispozicion në kushtet aktuale, kjo gjithsesi nënkupton edhe punën në lidhje me paragjykimet e shumta dhe stigmen sa i përket sëmundjeve mendore dhe të sëmurëve mendor.
Psikiatria moderne është rezultat i “luftës” konstante në mes të forcave progresive dhe atyre regresive.
Forcat progresive i kundërvihen forcave dogmatike, të cilat si të tilla nuk janë të bazuara në fakte, por në supozime apo në besime të ndryshme në të cilën padyshim se bën pjesë edhe stigma.
Në Kosovën e pasluftës, shëndeti mendor është reformuar rrënjësisht duke marrë tiparet e një shërbimi modern i bazuar më tepër në komunitet- në familjen e të sëmurit mendor, por, gjithsesi këto reforma kanë mundësuar edhe një qasje më të mirë karshi dimensionit të trajtimit biologjik, psikologjik dhe social të të sëmurëve me çrregullime mendore.
Natyrisht, mendoj që kjo është një nismë e mbarë edhe në relacionin e luftimit të paragjykimeve dhe stigmes që ekziston te kjo kategori e të sëmurëve.
Nocioni- historiku i stigmes:
Është fjalë greke, që vjen nga rrënja e fjalës që ka kuptimin e “të veçuarit, theksimit, potencimit, shenjimit”. Më heret ky term nuk kishte pasur kuptim negativ. Ishte përdorur edhe për plagët e fituara gjatë betejave në luftëra të ndryshme, që më tepër e kishte pasur kuptimin e një nderi-rrespekti.
Me fillimin e epokës së re (pas lindjës së Krishtit), ky term ndërlidhej me plagët e Krishtit.
Reflektimi negativ paraqitet në gjuhen latine, ku kjo fjali greke është derivuar në metaforë që nënkuptonte degradimin, turpin apo edhe fyerjen, dhe përgjithsisht me këtë atribut identifikoheshin kriminelët apo robërit kur ata tentonin të iknin.
Ndërsa sot, stigma ka kuptimin negativ dhe nënkupton diskreditimin apo turpin e individit.
Stigmatizimi i individëve që vuajnë nga çrregullimet mendore definohet si etiketim negativ, margjinalizim dhe largim apo refuzim i këtyre individëve pikërisht për shkak se kanë çrregullime mendore.
Si e tillë, stigma ka pasoja negative për të sëmurin dhe anëtarët e familjës së tij, por edhe për Psikiatrinë si discipline.Stigmatizimi i dobëson jashtëzakonisht këta individ, e ngritë ndjenjën e tjetrësimit dhe në këtë mënyrë ndikon negativisht në prognozen e sëmundjës.
Paragjykimet:
Stigmatizimi i individëve që vuajnë nga sëmundjet mendore, bazohet në qëndrimet negative që njihen si paragjykime.
Paragjykimet janë qëndrime te shpeshta karshi sëmundjeve mendore. Fenomenin e paragjykimeve e theksojnë edhe qëndrimet e rrethit karshi sëmundjeve mendore. Në këtë kontekst, do të veçoja disa prej qëndrimeve të rrethit sa i përket të sëmureve mendor:
– Të rrezikshëm( më së shpeshti ndërlidhen me Sch dhe shërimin në repartet psikiatrike)
– Të paaftë për të jetuar të pavarur, për të marrë vendime, për të përfituar etj. (poashtu aludohet në Sch)
– Të dobët, vetfajësohen për sëmundjen e tyre (depresivët dhe çrregullimet anksioze)
– Të pashërueshëm (dementët, retardimet, skizofrenët në ente psikiatrike me hospitalizime të zgjatura).
Qëndrimet negative për të sëmuret mendor, padyshim se flasin për mangësi apo mungesë të empatisë në rend të parë, por gjithsesi edhe për informim të mangët. Përcepimet e të sëmurëve mendor rreth këtyre aspekteve, bazohen kryesisht në përpjekje për refuzim, margjinalizim të tyre si dhe tendencat për të gjeneruar dallimet e theksuara sociale në shoqëri.
Roli i mediave:
Obligimi moral i mjekëve në punën e tyre të përditshme, është angazhimi në programe të ndryshme kundër stigmes dhe ofrimi i ndihmës individëve që turpërohen nga sëmundja e tyre, me fjalë tjera, qëndrimet karshi sëmundjeve mendore të kenë karakter pozitiv.
Mediat, me anë të shkrimeve apo xhirimeve përmes TV-së, shumë shpesh ndikojnë në përkrahjen e rrezikut nga stigma. Më së shpeshi bëhet fjalë për raportimet senzacionale, të cilat si të tilla, pa një analizë adekuate, jo rrallë nga një incident rasti mund të gjenerojnë tek një numër i madh i të sëmurëve mendor margjinalizim evident.
Gjithmonë, kur në media, qoftë të shkruara apo elektronike, tregohet një stereotip negativ, do të duhej që t’i kundërvihemi me një aspekt pozitiv realist. Thënë më qartë, është shumë me rëndësi, që sëmundjen mendore ta prezantojmë nga perspektiva realiste dhe optimiste, e kurrsesi jo me ngjyrime, të shumta, që shpeshherë ndodhin si pasojë e një informimi joadekuat.
Në programet e luftës kundër stigmës, është shumë me rëndësi potencimi i dimenzionit etik, duke ndryshuar qëndrimet, u ndihmojmë njerëzve që të shërohen, bëhemi më human si dhe lirohemi nga qëndrimet negative apo paragjykimet, të cilat si të tilla janë barrierë e suksesit tonë profesional.
Përfundim:
Mund të konkludoj që stigma i cenon të drejtat e individit të sëmurë për rrespekt, barazi dhe shërim. Medicina dhe Psikiatria si discipline, duhet që të zhvillojnë metoda të sukseshme të luftës kundër stigmës, në mënyrë që grupit më të madh të individëve t’i siguron të drejtat themelore.
Stigma e paraqitur si një tipar negativ i individit vetëm për shkak të diagnozes së çrregullimit mendor, sot është problem shoqëror, medicinal dhe etik.
Përkunder suksesit të shërimit të individëve me çrregullime mendore dhe atë me një fokusim drejt komunitetit, s’ka dyshim që stigma ndikon negativisht, në rend të parë në kërkimin e ndihmës për shërim, pranimit të shërimit, kualitetit të jetës si dhe reintegrimit në bashkësi.
Nuk ka dyshime, që stigma ndaj të sëmurëve mendor është shumë e pranishme, kjo prani natyrisht që ka specifikat e veta në mentalitetin e shoqërisë sonë, prandaj si e tillë ka pasoja psikologjike, sociale dhe ekonomike për individin e stigmatizuar.
Kahjet etike na mësojnë, që secili i sëmurë mendor do të duhej të trajtohej me rrespekt, integritet të pacenueshëm dhe autonomi, për të drejten e plotë rreth një informimi korrekt, për gjendjen e tij si dhe për metodat e preferuara diagnostike dhe terapeutike, natyrisht, gjithmonë duke përfshirë edhe alternativat, por edhe të drejten e zgjedhjës në lidhje me metodat e ofruara.
Qëndrimet stigmatizuese të personave që shërojnë të sëmurët, kanë mundësinë, që në mënyrë të vrazhdë t’i alterojnë këto të drejta dhe në këtë mënyrë për pasojë kanë mangësinë e bashkëpunimit të të sëmurëve, refuzimin e ndihmës dhe si konsekuencë e kësaj;- prognozës së keqe të sëmundjës.
Qëndrimet stigmatizuese të shoqërisë, gjithashtu mund të shkaktojnë efekte të njejta. Prandaj, për shoqërinë dhe Psikiatrinë si discipline, është me rëndësi zëvendësimi i këtyre qëndrimeve me qëndrime pozitive që pamundësojnë një diskriminim të tillë. Edhe stigma, por edhe diskriminimi, pothuaj se janë probleme të shumicës së shoqërive në botë.
Me të drejtë, thuhet se stigma është një padrejtësi karshi të sëmurëve dhe familjarëve të tyre. Ajo në një mënyrë e mbanë frikën te të gjithë njerëzit; nëse sëmurën nga sëmundja mendore, atëherë do të jenë njerëz me vlera minimale apo edhe pa to.
Kjo mënyrë e të menduarit, sigurisht se rrënjet i ka në qëndrimet stigmatizuese, dhe kështu i kufizon njerëzit që të kuptojnë se çka në të vërtetë është çrregullimi mendor. /2LONLINE.com/
Literatura:
- Weiner B, Perry RP, Magnusson J. An attributional analysis of reactions to stigma Journal of Personality an Social Psychology 1998; f55.
- Wahl OF. Mass media images of mental illness; a review of the literature. J Community Psychol 2002, f. 352
- Crisp AH, Gelder MG, Rix S, Meltzer HI, Rowland OJ. Stigmatisation of people with mental illnesses. Br J Psychiatry 2000, f. 177 k-4.