Një takim i tillë i cili organizohet tash më tradicionalisht mblodhi afër 400 selishtas nga troje të ndryshme andej nga jetojnë, prej Luginës e Shkupit, Kumanovës e Ferizajit, Evropës e Amerikës e mbarë Karadakut.
U mblodhën për të evokuar kujtime nga ditët e kaluara në Selishtë, për tu parë me vëllezërit e kushërinjtë, të rinjtë të njoftohen mes vete, dhe natyrisht të shijojnë bukuritë përrallore të fshatit, të kodrave e maleve, krojeve e fushave.
Organizatorët kishin paraparë një program mjaft të pasur kulturo-artistik dhe sportiv, duke filluar me një historik të shkurtër për fshatin nga Fadil Ajvazi, mandej një fjalim emocionues e nga Kryetari i Këshillit Organizativ Adem Ajvazi, për të vazhduar tutje me këngë folklorike me çifteli e sharki, valle burimore me surle e tupan, e në ndërkohë u shtrua edhe një drekë me ushqime tradicionale, për t’a përmbyllur me lojëra të ndryshme tradicionale.
Këshilli organizativ ndau dy mirënjohje për kontributin e dhënë në ndihmë familjeve skamnore të fshatit Selishtë, për Iniciativën Qytetare të Zhegrës e cila ndihmon në baza mujore disa familje skamnore dhe Shoqatën “Zhegra” Gjenevë e cila është financuesja kryesore e kësaj nisme dhe nismave të tjera në dobi të banorëve të kësaj ane. Mustafë Jashari, koordinator i IQZH-së u shpreh të jetë i lumtur për këtë mirënjohje duke thënë se ky është një motiv shtesë për punë të më tejshme.
Në vazhdim, po ua sjellim fjalimi emocionues nga Kryetari i Këshillit Organizativ Adem Ajvazi:
“Të nderuar bashkëvendës të Selishtës, Të nderuar vëllezër e motra, Te dashur nipa e mbesa. Mysafirë të nderuar. Mirë se keni ardhur në Selishtën e bukur, në këtë Manifestim që po e mbajmë për herën e tretë duke i qëndrua besnik premtimit se ky takim do të jetë tradicional. Mirë se erdhët në fshatin e Lilë Malokut e Ilaz Malokut, të Sejdi Ajvazit e Hetë Stubllës të Ali Hasanit apo dajës Ali të Jetullah Sefer Halimit e Elez Halimit të Fejzi e Shahin Limanit të Xheladin Beqir Selishtës e Skender Zhegrës.
Kur u pat përmend ideja për mbajtjen e një takimi për herë të parë, para 2 vitesh, lajm të cilin ma patën komunikuar bashkëvendësit tonë që jetojnë në mërgim, më kujtohet që pyetja e parë që u pata bërë ishte:
“Çka unë mund të ndihmoj në këtë drejtim?” , natyrisht duke e mbështetur pa kushte këtë iniciativë mjaftë të qëlluar. Nejse, nuk e kam ditë atëherë që shumicën e punëve e obligimeve mi lajnë mu, se ndoshta nuk kisha pranua kaq lehtë.
Një ide si kjo, ku mund të takohemi, të njoftohemi por edhe te evokojmë kujtimet e së kaluarës e të njëjtën kohë të shijojmë këto bukuri përrallore që ka fshati ynë, mu pat dukur e jashtëzakonshme dhe shumë e qëlluar.
Të dashur vëllezër, motra, nipa, mbesa, kushëri, mysafirë të nderuar, sot jemi këtu për të kujtua ditët e bukura të kaluara në Selishtë, netët e vona nën dritën e fenerëve ku dëgjohej kënga e çiftelisë e sharkisë, për të kujtua se si kur vinte ndonjë mysafir shtrohej sofra e mblidhej e gjithë mëhalla për ta nderu mikun, për të kujtua të qeshurat e pafundme deri në orët e vona.
Sot jemi këtu të evokojmë kujtime për ditët e para në shkollë, për mësuesit e parë, për librat e parë, për çantën e parë, për opingat e reja e ato të shqyem, për pantallonat e harrnuara, për copën e bukës së kallamojtë që merrni rrugës për në shkollë, për lojërat me shokët e shoqet, për ngjitjet në lisa, për rrëzimet, për vrapimet nëpër shpate.
Sot jemi këtu të kujtojmë se si rrëzohej kerri i mbushur me sanë në rrugën e kthimit për në shtëpi, për humbjen e “larojkes” dhe kërkimin e saj deri në orët e vona, për këngët kur lëshonit bagëtitë, për melodinë e fyellit të bariut, për blegërimën e deleve, për simfoninë e zogjve.
Sot jemi këtu të kujtojmë kur bijat mblidheshin në të panë, kur nipat e mbesat rrotullonin gjithçka qe u dilte përpara, kur rrëzonin shtogjet e sanës, kur merrnin tinëz molla nga pema e komshiut, apo ikjet e tyre nga ndjekjet me thupër të dajave. Sot jemi këtu për të kujtua djersët e derdhna gjatë kositjes te Livadhi i Verdhë, prashitjen e kallamboqit te Gëllijat, ujin e ftohtë te kroi i Ahmetit, dardhat kakiçke në Ahishtë, pushimet nën hijet e lisave të lartë në Drum.
Sot jemi këtu për të kujtuar dimrat e ftohtë në Selishtë, për mbledhimet e mbrëmjeve, për mollët e dukta të ruajtura në tavan nga vera, për vështirësinë për me shkua te kroi me marrë ujë, për muhabetet rreth zjarrit, për pogaçet me djathë të nënave e lokeve tona, për përsheshin e kallamojtë… e çka jo tjetër se?!
Të nderuar të pranishëm, Selishtasit kanë qenë gjithmonë një fshat i respektueshëm, jo vetëm për natyrën e bukur e të pasur, por edhe për njerëzit që kanë dalë prej saj dhe unë jam i sigurt se kjo do të vazhdoj edhe më tutje.
Ky fshat, këto kodrina i kanë dhanë këtij vendi personalitete të shquara të jetës publike nga fusha të ndryshme dhe vazhdojnë t’i japin. edhe sot që nga politika, historia, kultura e shkenca. Një karakteristikë mjaftë e veçantë për një vend të vogël si Selishta është numri i madh i poetëve, jo vetëm për nga numri por edhe nga cilësia.
Sigurisht ky vend, këto fusha e male, përroje e kroje e kanë bërë të vetën. Po I përmend disa nga më të njohurit: MIRKO GASHI një poet i jashtëzakonshëm, Halil Matoshi do ta quante poet te shiut apo bohemin e fundit të Prishtinës, vëllezërit: SHKËLZEN DHE AVNI HALIMI – shkrimtar dhe poetë nga më të njohurit në Maqedoni, FEHMI AJVAZI, HALIM HALIMI, NEXHAT MALOKU, SKËNDER HALIMI – një nga poetët më të mirë të Kosovës në vitet e 80-ta, ish i burgosur politik, FEHMI HALIMI etj.
Ky është realitet i pamohueshëm. Selishtasit kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm dhe vetë emrat e përmendur, veprat e të bëmat e tyre flasin më shumë se ne do të mund të thonim sot këtu.
A nuk do të ishte mëkat nëse ne gjeneratat e reja nuk do të vazhdonim këtë rrugë? Natyrisht. Por të rinjtë selishtas, kanë vendosur të vazhdojnë të jenë zë i fuqishëm jo vetëm në Karadak por edhe në mbarë Kosovën, e kudo që jetojnë. Duke studiuar e arritur rezultate kulmore, duke punuar e duke ngritur bizneset e tyre.
Të gjithë këta burra e gra që u përmendën sot këtu, dhe shumë e shumë të tjerë na bëjnë të mburremi me atë se kush jemi dhe çka jemi. Kështu që, mbajeni kokën lartë. Krenohuni me këtë fshat që i dha këtij vendi njerëz të fjalës e besës, njerëz të pushkës e lapsit.
Të nderuar vëllezër e motra, faleminderit që sot jeni këtu, faleminderit që keni marrë dhjetëra e qindra kilometra rrugë për me ardhur në këtë takim, faleminderit që keni anulua obligimet e juaja të përditshme për me ardhur sot këtu. Prania e gjithsecilit prej juve i jep jetë, i jep frymë, e madhështon këtë takim. Zoti ju bekoftë kudo që jeni. Zoti ua dhashtë të mbarën në çdo synim që keni, Ju faleminderit shumë, shumë, shumë…