Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka thënë se imazhi i Kosovës nuk dëmtohet nga Gjykata Speciale, por nëse injorohen këshillat e miqve të jashtëm.
“Imazhi i Kosovës do të dëmtohet nëse bëhemi makusha dhe fusim kokën në rërë duke injoruar këshillat e atyre që bombarduan për 3 muaj rresht Serbinë dhe ndihmuan themelimin e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai, transmeton Tribuna.
Zv/ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, e sheh të udhës që deputetët e Kuvendit të Kosovës të vendosin pro krijimit të Gjykatës Speciale për trajtimin e krimeve të supozuara nga UÇK-ja. Në një intervistë për Tribunën, ai ka thënë se duhet këmbëngulur që kjo Gjykatë të krijohet nën kornizën ligjore kosovare dhe njëkohësisht të punohet që ky kapitull të përmbyllet një herë e përgjithmonë.
Selimi ka përkujtuar se Serbia i ka dërguar 10 kërkesa zyrtare që OKB-ja t’i gjykojë kosovarët, mirëpo faktori politik vendës ka arritur që Gjykata Speciale të ketë vendin e saj në kuadër të sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës. Bashkëpunimi me BE-në, EULEX-in dhe SHBA-të, sipas tij, është shtyllë e orientimit euro-atlantik. Në të kundërtën, siç ka thënë ai, efekti negativ i refuzimit të Kuvendit do të jetë shumë më drastik se vetë themelimi i Gjykatës.