Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, me rastin e festimit të Bajramit të Madh, ka marrë një telegram urimi nga Sekretari Amerikan i Shtetit i SHBA-ve, John F. Kerry.
Në telegram, Sekretari Kerry, duke iu referuar përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, i uron të gjithë myslimanëve festën e Bajramit.
Sekretari Kerry po ashtu thekson se shumë bashkëkombës të tij amerikanë, do t’iu bashkohen myslimanëve në mbarë globin për të festuar përmbylljen e muajit të shenjtë, që simbolizon bamirësinë, komunitetin dhe vlerat e përbashkëta të njerëzimit.
“Si në shekujt e kaluar, komunitetet myslimane anekënd botës do të shënojnë këtë ditë duke ndihmuar më nevojtarët. Ata do të bashkohen në festim dhe të reflektojnë në bujarinë që kanë pasur fatin ta pranojnë. Pasuria dhe larmia e komuniteteve myslimane na përkujton lidhjet që na bashkojnë dhe na tubojnë të gjithëve ne së bashku, duke forcuar urat e njerëzimit tonë të përbashkët”, shkruan Sekretari Kerry në telegramin dërguar ministrit Hoxhaj, duke i uruar në emër të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve Festën e Bajramit.