U.D. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, i shoqëruar nga zyrtarë të MSh-së, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ShSKUK-së kanë zhvilluar takimin e parë të Komitetit Drejtues për zbatimin e Grantit Japonez për sigurimin e pajisjeve për SHSKUK-së, me përfaqësues të Japonisë.
Takimi është realizuar në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës dhe Qeverisë Japoneze.
Sekretari Bardiqi, është shprehur falënderues për mbështetjen e vazhdueshme që populli japonez po i jep Kosovës, në çdo fushë, e në veçanti në sektorin e shëndetësisë.
Ai ka theksuar se mbështetja e Qeverisë Japoneze përmes marrëveshjes së bashkëpunimit, do t’i zbusë ndjeshëm nevojat e ShSKUK-së, për pajisje mjekësore respektivisht do të ndikojë lehtësimin e punës së profesionistëve shëndetësor dhe sigurisht do të reflektojë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në klinikat e saj.
Përfaqësuesi i Ambasadës së Japonisë në Vjenë z. Mitsunori Ogasawara, tha se shpresojnë se kjo ndihmë do të ndikojë sadopak në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se kjo nuk është ndihma e parë, por as nuk do të jetë e fundit që ata ofrojnë për qytetarët e Kosovës.
Marrëveshja parasheh një donacion për klinikat e SHSKUK-ës, në vlerë prej 1.1 milion euro, për pajisje të ndryshme mjekësore, që do të realizohet në vitin 2019.
Nga ky donacionin do të përfitojnë; Klinika e Neurologjisë ku do të pajiset me CT -16 shtresore dhe një ultrazë dopler për ekzaminime neurologjike, Klinika e Gastroenterolgjisë do të përfitoj nga ky donacion një aparat për gastroskopi dhe kollonoskopi, Klinika Infektive një rentgen digjital, Klinika e Urologjisë, do të pajiset me Urotroskop fleksibil, Klinika e Kirurgjisë Vaskulare me ultrazë dopler, dhe në Klinikën e Pulmologjisë me një bronkoskop.