“Në përpjekjet tona të vazhdueshme për të forcuar identitetin dhe prezencën vizuale të SC Gjilani, kemi ndërmarrë një proces të ri-brendimit që sjell një imazh të freskët dhe të përditësuar për klubin tonë. Ky ri-brendim është bërë me një kujdes të veçantë për të ruajtur traditat dhe vlerat e klubit, ndërsa njëkohësisht përqafon një vizion modern dhe dinamik”, thuhet në komunikatën zyrtare të SC Gjilanit.
Më tej thuhet se struktura e logos është ruajtur, duke respektuar historinë dhe identitetin që ka karakterizuar klubin e Gjilanit gjatë viteve. “Një element i ri dhe i rëndësishëm është shtimi i një rrethi me ngjyrë ari (gold), që simbolizon legjendat dhe figurat historike të klubit tonë. Ky rreth i artë është një nderim për të gjithë ata që kanë kontribuar në arritjet dhe sukseset e SC Gjilani, duke e bërë atë një pjesë të pandashme të identitetit tonë”.
Një tjetër përmirësim i dukshëm është përfshirja e Skifterit si simbolin kryesor të klubit. “Skifteri përfaqëson tifozët tanë të zjarrtë, të cilët janë zemra dhe shpirti i SC Gjilani. Me një dizajn të fuqishëm dhe dinamik, Skifteri reflekton energjinë, pasionin dhe përkushtimin e tifozëve tanë që gjithmonë qëndrojnë përkrah klubit në çdo situatë”.
“Topi klasik i futbollit është futur gjithashtu në logon e re për të theksuar vitin e krijimit të klubit. Ky element simbolik është një kujtesë e rëndësishme për rrënjët dhe traditat tona, duke e lidhur të kaluarën me të ardhmen”, thuhet në fund të komunikatës zyrtare të SC Gjilanit. /2LONLINE/