SC Gjilani është eliminuar nga Conference League, pasi që në ndeshjen e dytë të rrethit të parë, që u luajt në Prishtinë, ka pësuar humbje me rezultat 0:2, nga ekipi FC Progres Niederkorn nga Luksemburgu, ndërkohë që ndeshja e parë kishte përfunduar baras (2:2).
Skuadra e Gjilanit që nga minuta e 14-të luajti me një lojtar më pak. Ekipi gjilanas që po drejtohet nga Klodian Duro, arsyetoi deklaratën e tij, duke treguar respekt për skuadrën kundërshtare, por aspak frikë, andaj edhe pse ishin me 10 lojtarë që nga minuta e 14-të, kur nga loja u përjashtua Egzon Sinani me ngulm e kërkonte golin e avantazhit, duke rrezikuar disa herë portën mysafire.
Lojtarët gjilanas treguan shpirtin luftarak dhe ndonëse numerikisht më pak, krijuan raste për shënim, por pa konkretizim, kështu që pjesëloja e parë u mbyll 0:0.
Në pjesëlojën e dytë gjilanasit sërish kërkonin golin që mund të ishte gol i fitores dhe i kualifikimit, por se në vend se të arrihej kjo, erdhi ndëshkimi në minutën e 65-të, kur ekipi nga Luksemburgu shënoi për avantazhin prej një goli, përmes lojtarit, Antoine Mazure.
Gjilanasit deri në fund kërkuan golin e barazimit, me shpresë që ndeshja të shkonte në vazhdime, por as kjo nuk u eci, pasi në minutën e parë shtesë (90+1’), mysafirët sërish ndëshkuan përmes lojtarit Walid Jarmouni.
Ishte kjo një humbje e dhimbshme për faktin se gjilanasit patëm një paraqitje vërtetë dinjitoze, por se duket se largimi i hershëm i një lojtari nga loja, pas ndëshkimit me karton të kuq, e krijoi diferencën duke bërë që gjilanasit të harxhonin më shumë energji. Gjithsesi, kjo disfatë bëri që të përfundojë edhe aventura e SC Gjilanit në garat evropiane. /2LONLINE/