SC Gjilani ka siguruar gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës me fitoren e thellë ndaj Trepçës ‘89, (1-5), dhe që të gjitha golat për gjilanasit i ka shënuar kapiteni Albert Dabiqaj.
Ditë më parë, në ballafaqimin e Ligës së Kampionëve Manchester City mundi Leipzig-un 7:0 dhe lojtari Erling Haaland dhuroi spektakël duke shënuar pesë gola, e mund të shtrohet lehtë pyetja se a mund të jetë motivuar kapitenin gjilanas Albert Dabiqaj nga kjo, pasi ai e ka detyruar gardianin e skuadrës Trepça ‘89, ta nxjerrë topin nga porta e tij, plotë pesë herë, në ballafaqimin e çerekfinales që SC Gjilani e zhvilloi në Mitrovicë, kundër skuadrës së “minatorëve” .
Sidoqoftë, pa e ekzagjeruar me paralele të tilla, ajo që është e rëndësishme për skuadrën kuqebardh, është fakti se me këtë fitore është edhe më afër këtij trofeu që ia mundëson edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.
SC Gjilani gjysmëfinalen e sigurojë me golat e mesfushorit Dabiqaj, deri sa golin e vetëm për vendësit e shënoi Ardian Muja.
E kur jemi te faza çerekfinale e garës për Kupën e Kosovës në futboll, nga ballafaqimet e ditës së sotme, tani më dihen që të katër gjysmëfinalistë.
Krahas Gjilanit, gjysmëfinalistë të tjerë, janë edhe Prishtina që mundi Ballkanin (2:0), Llapi që mundi Malishevën edhe atë pas penalltive (6:5), pasi në lojën e rregullt rezultati ishte i barabartë (2:2), si dhe Vushtrria, skuadër kjo e Ligës së Parë, që e eliminoi skuadrën e Ligës së Dytë, Beharin, pas fitores me rezultat 1:0.
Përndryshe, në gjysmëfinale do të zhvillohen nga dy ndeshje, me sistem vajtje-ardhje. /2LONLINE/