Në paraditen e së premtes, SC Gjilani ka mbajtur seancën e fundit stërvitore në prag të duelit kampional ndaj FC Dritës.
“Pavarësisht mungesave të cilat janë të theksuara, skuadra ka qenë në ritëm dhe mjaft e përqendruar për duelin ndaj rivalit lokal”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit kuq e bardh.
Listës së futbollistëve të cilët pritet ta humbasin këtë derbi i është shtuar edhe Shend Kelmendi, i cili për shkak të gjendjes gripore nuk ka stërvitur me ekipin. Ndërkohë, futbollistët Betim Halimi, Malos Bajrami dhe Blend Krasniqi janë duke vazhduar me proceset e rikuperimit, megjithëse sezonin e kanë mbyllur prej kohësh.
“Në listën e të ftuarve është futur edhe Elton Cale, i cili kishte munguar në duelin e fundit kampional ndaj FC Liria për shkak të kartonëve”, thuhet tutje në njoftim.
Përballja ndërmjet Gjilanit dhe Dritës, ndeshje kjo e javës së 35-të, e Superligës së Kosovës në Futboll. zhvillohet këtë të shtunë me fillim nga ora 15:00, ndërkohë stadiumi ndihmës në Gjilan do jetë arena e takimit. /2LONLINE/