Me tri ndeshjet e ditës së sotme ka filluar edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll, ku marrin pjesë edhe dy skuadrat gjilanase, SC Gjilani dhe FC Drita.
SC Gjilani ka shënuar fitore fare në fund, derisa edhe Drita pothuajse në fund të takimit arriti t’iu shmanget humbjes dhe të barazon.
SC Gjilani e ka nisur mbarë këtë edicion duke shënuar fitore me rezultat 3 me 2 ndaj Ferizajt, takim ky që u luajt në Gjilan, në stadiumin ndihmës me bari sintetik.
Prurja e fundit, Theophilus Solomon doli të ishte e qëlluar për këtë ndeshje pasi pikërisht shënoi dy herë, njërin gol në minutën e fundit të ndeshjes (90’+3’). Për Gjilanin shënoi edhe Mevlan Zeka, derisa për skuadrën e Ferizajt realizatorë ishin: Ramush Ramadani e Betim Haxhimusa.
Ndërsa, skuadra tjetër gjilanase, FC Drita, nismën e këtij edicioni e filloi me barazim. Në fakt skuadra bardhekaltër e cila kishte udhëtuar në Mitrovicë për t’u ballafaquar me Trepça 89’, në pjesëlojën e parë ishte në një disavantazh prej 2 me 0, por falë dy golave në pjesëlojën e dytë, barazoi 2 me 2 , për një pikë. Të dy golat për vendësit i shënoi Christian Mba, derisa për Dritën shënuan: Drilon Islami e Ardit Tahiri, ky i fundit nga penalltia.
Ndeshja tjetër, Dukagjini – Prishtina përfundoi me rezultatin 1 me 2.
Përndryshe, të dielën luhet vetëm ndeshja Drenica-Llapi në orarin e njëjtë, kurse ndeshja Malisheva-Ballkani është shtyrë, për shkak se Ballkani të enjten e zhvilloi ndeshje në garat evropiane. /2LONLINE/