Sanxhaku, si dhe të gjitha viset e Ballkanit pa ndonjë vështirësi ranë nën administrimin e Italianëve dhe Gjermanëve. Kah mesi i korrikut të viti 1941 pati kryengritje ne Sanxhakun perëndimor.
Shkruan: Ismet Azizi
Superioriteti ushtarak dhe organizimi më i mirë se ushtria e kryengritëse (partizanët), trupat italiane lehtë copëtuan rezistencën dhe kështu, më 10 gusht të gjithë këtë territor e ripushtuan. Deri në mes të tetorit do të ketë aksione kryengritëse në këtë rajon, vatra e konfliktit do të transferohen në rrethet lindore të Sanxhakut, përkatësisht në Sanxhakun lindor.
Përleshjet e ndërsjella ndërmjet shqiptarëve dhe boshnjakëve në njërën anë dhe serbëve në anën tjetër kanë vazhduar gjatë muajit gusht dhe shtator të viti 1941. Më 19 gusht formacionet çetnike vranë në fshatin Zemanicë katër xhandarë, dhe gjermanët për t’u hakmarrë, dy ditë më vonë e dogjën tërë fshatin. Deri në fillim të shtatorit, në qarkun e Dezhevës (Pazarit të Ri) u organizuan grupe çetnike të Kosta Peçancit dhe Dragolub Drazha Mihailoviqit. Së pari Kosta Peçancit, Mashan Gjuroviq, formuan aradhen çetnike të Suhopllaninës në luginën e Ibrit.
Kjo aradhe përfshiu disa njësi në trevën e rrethit të Dezhevës. Në të njëjtën kohë, në territorin e Kolashinit të Ibrit u formua aradhja çetnike e Todor Dobriqit, në të cilën u futën shumë refugjatë të ikur nga qarku i Shtavicës dhe Beranës. Për shkak se Vojvoda Mashan Gjuroviq në fund të gushtit kaloi në kolaboracion të hapur me gjermanët, aradhja çetnike e Bjeshkës së Suhodollit ishte jashtëzakonisht mirë e armatosur dhe mirë e paguar nga qeveria e Millan Nediqit.
Përveç paraqitjes së një organizate të re ushtarake në trevën e rrethit të Dezhevës, situatën edhe më tepër e përkeqëson konflikti në Qarkun e Mitrovicës. Kah mesi i shtatorit ka pasur një konflikt të armatosur mes reparteve çetnikëve të Bjeshkës së Thatë (Suha Planina) dhe xhandarmërisë shqiptare nga Mitrovica të udhëhequr nga Pajazit Boletini, biri i Isa Boletinit. Beteja u zhvillua në luginën e lumit të Cerajës në jug të Leposaviqit.
Në fund të muajit, me ndërmjetësimin e gjermanëve, u arrit paqja dhe treva në jug të lumit Cerajë është përdorur si tampon zonë midis ndikimit serb dhe shqiptar. Autori Zhivkoviq thotë se “forcat e përziera boshnjake e shqiptare, të udhëhequr nga Shaban Polluzha, dogjën në fund të shtatorit një numër i madh të fshatrave në Kolashinin e Ibrit. Pas kësaj ngjarjeje, komanda gjermane në Mitrovicë këtë trevë e ka konsideruar si trevë të „shpopulluar“.
Nexhmedin Spahiu, ka vlerësim krejt tjetër nga ai i Zhivkoviqit: “Nëse zhvishen nga rrenat e stërmadhimit ngjarjet tjera nga historia e komunistëve, kjo ishte lufta me më së shumti luftëtarë pas kryengritjes së Hasan Prishtinës së vitit 1912 (30,000 luftëtarë). Por, nuk janë vetëm numrat që e tregojnë dimensionin e një lufte. Janë motivet në radhë të parë. Motivi i gjithë këtyre luftëtarëve vullnetarë ishte të shpëtonin popullsinë e pafajshme të Sanxhakut të Novi Pazarit nga gjenocidi. Pjesa më e madhe e këtyre luftëtarëve në atë kohë jetonte në një shtet tjetër (Drenica e Rugova ishin në Shqipëri, ndërsa Mitrovica, Shala e Bajgorës e Novi Pazari në Serbi). Ata nuk bënë sehir duke thënë se sa gjynah si po vrasin serbët gra e fëmijë në Sanxhakun e Novi Pazarit, po rrokën armët dhe harxhuan plumbat qe i blinin me para. Lufta e Kolashinit paraqet standardin më të lartë të patriotizmit në historinë shqiptare. Nuk kishte qeveri apo agjenturë që qëndronte pas tyre. Ishte thjeshtë organizim dhe sakrificë e ndërgjegjes. Ishte solidarizim me tjetrin, me të pafajshmin. Ky është kulmi i ndërgjegjes së një populli”.
Për shkak të përhapjes së kryengritjes në Serbi, komanda gjermane vendosi për t’i mbrojtur vetëm pikat strategjike të rëndësishme, dhe kështu, më 4 tetor tërhoqi forcat e saj nga Pazari i Rinë Mitrovicë. Në Pazarin e Ri themelohet komitet për mbrojtjen e qytetit në ballë të të cilit vjen Aqif Blyta, njeriu më me ndikim në mesin e myslimanëve të rajonit. Për të mbrojtur qytetin nga sulmet e mundshme të njësive çetnike, Blyta dërgon një thirrje për ndihmë në Mitrovicë, rrethin e Shtavicës dhe Beranës. Për të parandaluar serbët e Pazarit të Ri për të mbështetur çetnikët për ndonjë sulm të mundshëm, por edhe për të parandaluar rrjedhjen e informacioneve, më 5 tetor merret vendimi për të ndalimin e daljes së serbëve jashtë qytetit. Ky vendim mbeti në fuqi deri më 7 dhjetor kur gjermanët u kthyen në Pazar të Ri272.
Në periudhën nga 4 tetori deri 7 dhjetor 1941, formacionet çetnike sulmuan tri herë Pazarin e Ri në përpjekje për ta marrë atë dhe për të masakruar popullsinë myslimane. Forcat gjermane më 2 tetor u larguan nga Pazari i Ri dhe shkuan në drejtim të Mitrovicës, nga frika e ndërprerjes së lidhjes me qendrat më të mëdha ushtarake në rast se forcat partizane zënë plotësisht luginën e Ibrit. Më 4 tetor qytetin e lëshoi personeli i Ortskomandës kryesuar nga komandanti gjerman. Gjermanëve u ishte e qartë se kjo do të ishte rast i mirë për konflikt në mes grupeve etnike të Sanxhakut.
Myslimanët e Pazarit të Ri menjëherë formuan Komitetin për mbrojtjen e qytetit, i cili tashmë më 4 tetor mbajti sesionin e parë. Myslimanëve iu ndanë 150 pushkë të vjetra me municion nga depoja e xhandarmërisë lokale dhe organizuan roje të përhershme rreth qytetit. Qyteti ishte i bllokuar. Iu dërgua ftesë gjithë popullatës myslimane për të blerë urgjentisht armë për vetëmbrojtje nga sulmet e pritshme çetnike. U caktuan tri delegacione, të cilat duhet të bënin thirrje për ndihmë nga shqiptarët dhe boshnjakët e Kosovës dhe rrethet fqinje273. Delegacionin, i cili u nis të kërkojë ndihmë nga kosovarët, e përbënin pazarasit eminentë, si: Hanefija Lajiq, Hazir agë Kërlesh dhe Fehim agë Hoçanini.
Gjatë muajit tetor dhe nëntor të viti 1941, Pazari i Ri dhe rrethina e tij u shndërrua në trevë konfliktesh të përgjakura në mes popullsisë lokale, së cilës i erdhi në ndihmë një formacion ushtarak prej 3.200 shqiptarëve nga Kosova dhe rreth 1.800 të tjerë boshnjakë e shqiptarë të Bishevës dhe Peshterit, dhe njësive çetnike, të cilat kanë rrethuar qytetin në formë të gjysmërrethit nga Rogozna në lindje deri në Shtitare, nëpër Cokovicë, Pillaretë dhe Dezhevë. Gjatë këtyre dy muajve çetnikët organizuan tre sulme ndaj Pazarit të Ri, ndërsa pazarasit me ndihmën e aleatëve të porsaardhur një kundërsulm ndaj Rashkës.
Të gjithë tentimet për t’u ruajtur qetësia, dështuan njëra pas tjetrës. Të gjitha takimet e bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve serbë dhe myslimanë u shpartalluan të pasuksesshme. Posaçërisht ishin të rëndësishme bisedimet në mes përfaqësuesve të atëhershme të rrethit të Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe përfaqësuesve të çetnikëve nga Rashka. Çetnikët kërkuan t’u jepet stacioni i xhandarmërisë në Pillaretë; që shqiptarët e Kosovës të kthehen në Kosovë në afat prej tetë ditësh; që serbëve nga Pazari pa asnjë pengese t’u mundësohet të dalin nga qyteti sa here që duan. Aqif Blyta kërkoi që xhandarmërisë së rrethit të Dezhevës t’i jepet stacioni në Rajetiq; mandej ai ta mbajë edhe më tutje stacionin e xhandarmërisë në Pillaretë; që çetnikët të tërhiqen nga ato komuna të Rrethit të Dezhevës në të cilat çetnikët mbajnë pushtetin dhe mos t’u pengojnë në ushtrimin e pushtetit; që myslimanëve t’u garantohet jeta dhe ekzistenca etj.
Ndërkohë, kanë arritur përforcime nga shqiptarët e Kosovës në Pazar të Ri. Grupi i parë erdhi më 7 tetor, të cilit i është bërë pritje madhështore. Në krye të grupit ishte prijësi Shaban Polluzha. Në fjalimin e tij, Blyta i lavdëroi për suksesin e arritur në luftë me njësitë çetnike në Kolashinin e Ibrit. Konsiderohet se në muajin tetor pazarasve u erdhën në ndihmë 500 shqiptarë të armatosur. Gjatë muajit tetor çetnikët dogjën fshatrat boshnjake, si: Tërnavën, Brxhanin, Banjën, Polokcin Jançën, Muhovën, Grabin, Bijele Vode dhe Çebincin. Djegia e fshatrave ka qenë e përcjellë me plaçkitje të pasurisë, sidomos të drithërave dhe bagëtisë275.
Gjatë këtyre ditëve në Pazar të Ri kishte ardhur si përfaqësues i partizanëve Zenun Haskoviq. Ai zhvilloi bisedime me Aqi Blytën, duke ia paraqitur propozimet e partizanëve, të cilat kishin këtë përmbajtje: 1. boshnjakët të pajtohen me serbët dhe të ndërpritet lufta ndërmjet tyre në rrethin e Dezhevës, 2. të vendoset komunikacioni i lirë ndërmjet Pazarit të Ri dhe Mitrovicës; 3. që boshnjakët t’i lejojnë partizanët të hyjnë në Pazar të Ri etj. Aqif Blyta iu përgjigj Zenunit, se ata kanë provuar të bisedojnë me serbët dhe se edhe më tutje do të bisedojnë dhe se komunikacionin e lirë nuk e pengojnë ata, por çetnikët. Përveç kësaj, pushteti lokal në rrethin e Dezhevës askujt nuk do t’i lejojnë të hyjnë në Pazar të Ri.
Më 3 nëntor çetnikët dogjën fshatrat Pope, Xhonlije, Okosë, Pozhegë të Poshtme dhe të Epërme, Ivançën, Rajçinoviqin, duke vranë banorët, të cilët arritën t’i kapin. Aqif Blyta, përsëri më 2 nëntor i ftoi në prefekturë një numër të caktuar qytetarësh me autoritet nga Pazari i Ridhe iu propozoi që të dërgohet një delegacion për të kontaktuar dhe për t’i vazhduar bisedimet. Në formë të shkruar komandës çetnike iu është dorëzuar propozim marrëveshja për vendosjen e vijës së demarkacionit, e cila përkufizohej: Xhurxhevi Stupovi – Kosuriqë – Lilac – Svilanovo – Novopazarska banja – Brxhanë – Çesmali – Vojkoviqe dhe secila palë të obligohet që në territorin e vet të sigurojë rendin dhe qetësinë; të arrihet marrëveshja për të mos e sulmuar asnjëra palë tjetrën.
Komandanti çetnik, Radomir Cvetiq, iu përgjigj me ultimatum propozimit të Aqif Blytës se, për t’u vendosur paqja dhe rendi dhe për të mos sulmuar, duhet që menjëherë ai dhe njerëzit e tij ta dorëzojnë Pazarin e Ri. Atëherë Aqifi bëri çka i kishte mbetur për të bërë, ndërmori masat për mbrojtjen e qytetit.
Sulmi i parë çetnik në Pazarin e Ri ndodhi më 4 nëntor 1941. Qëllimi i sulmit ishte, jo vetëm të merret nën kontroll qyteti, por të bëhet shfarosja e plotë i popullatës myslimane në te dhe rrethinë. Sulmi zgjati nga ora 4h deri në ora 10h, mirëpo përfundoi pa sukses. Deri në ora 7 çetnikët kishin përparuar dhe iu kishin ofruar qytetit. Mirko Qukoviq, lidhur me këtë përpjekje të çetnikëve, shkruan: “Biko Dresheviq, mulla Jakub Kardoviq dhe Xhemail Koniçanin iu kanë kaluar nga mbrapa dhe anash, që kishte shkaktuar ngatërrim dhe tërheqje nga pozicionet e marra. Për shkak se sulmi është thyer nga kjo anë, mbrojtësit kaluan në linjën Petrovacrkva – Xhurxhevi Stupovi – Pariçkobrdo -Vidovo dhe i sprapsën sulmuesit përgjatë tërë linjës”. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve në radhët e çetnikëve arriti në rreth 140, ndërsa në radhët e boshnjakëve dhe shqiptarëve rreth 120. Numri i të vrarëve dhe të plagosurve në këtë ditë ka qenë shumë më i madh, kur shtohen edhe viktimat nga viset rurale.
Aqifi Blyta në seancën e Këshillit për mbrojtjen e qytetit, të pranishmëve uroi fitoren dhe përsëri i dërgoi përfaqësuesit në rrethen fqinje dhe komuna për të kërkuar ndihmë në njerëz, armë dhe municion. Në këto luftëra posaçërisht ka pësuar fshati Pozhegë, ku vetëm në shtëpinë e Bahtijar Dolancit, i cili kishte strehuar dhe mbronte tri familje serbe dhe tri boshnjakë, janë therur 13 persona, gra e fëmijë, edhe pse anëtarët e familjes Bahtjari i kishte mbrojtur dhe strehuar iu ishin lutur dhe i kishin mallkuar që të mos bëjnë një gjë të tillë.
Në Pazar të Ri arritën përforcime të reja, posaçërisht nga Kosova. Rreth 10 nëntorit në Pazar të Ri kanë qenë mbi 3.150 njerëz të armatosur. Me forcat shqiptare kanë komanduar 12 bajraktarë të dalluar shqiptarë. Nga krejt kjo, Aqifi mori guximin dhe vendosi me veprime luftarake të kalojë në territorin e armikut, gjegjësisht ta sulmojë Rashkën, ku strehoheshin çetnikët dhe e mbanin si çerdhe të tyre. Sulmi i forcave shqiptaro-boshnjake, gjithashtu ishte i pa suksesshëm. Sulmi filloi më 16 nëntor në ora 10h, ndërsa beteja vendimtare u zhvillua më 17 nëntor 1941, në ora 4,00 në Bisinën e Madhe dhe të Vogël, dhe në luginën e lumit Ibër. Sulmi ka zgjat 6 orë dhe ka përfunduar me tërheqjen e forcave shqiptaro-boshnjake. Nga të dy palën kanë humbur jetën 200 luftëtarë.
Vijon: Fjalimi i Shaban Polluzhës në Dugopolanë, vendbanimi më verior i Trojeve të banuara me shqiptar